Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka filluar një tur diplomatik në Azi, që pritet të përfshijë takime me disa nga liderët më të rëndësishëm të rajonit. Udhëtimi nisi me një ndalesë të shkurtër për furnizim me karburant, gjatë së cilës Trump u takua me Emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, në bordin e avionit presidencial Air Force One.
Pas ndalesës, Trump mbërriti në Malajzi, ku mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes historike të paqes mes Tajlandës dhe Kamboxhias, një zhvillim që i jep fund tensioneve shumëvjeçare mes dy vendeve fqinjë.
Në të njëjtën ditë, Shtëpia e Bardhë publikoi edhe një deklaratë të përbashkët mes SHBA-së dhe Tajlandës, ku u njoftua arritja e një skice marrëveshjeje tregtare për të zgjeruar aksesin në tregje, forcuar zinxhirët e furnizimit dhe thelluar bashkëpunimin ekonomik dypalësh.
Sipas dokumentit, Tajlanda do të heqë tarifat doganore për 99% të mallrave amerikane, ndërsa SHBA-të do të ruajnë “tarifa reciproke” prej 19% dhe do të ofrojnë hyrje me tarifa zero për një sërë produktesh tajlandeze.
Këto lëvizje konsiderohen si pjesë e strategjisë së Uashingtonit për të rritur ndikimin ekonomik dhe diplomatik në rajonin aziatik.
Sipas agjendës zyrtare, Trump do të vazhdojë udhëtimin në Japoni dhe Korenë e Jugut, ku pritet të takohet me presidentin kinez Xi Jinping të enjten. Po ashtu, presidenti amerikan ka shprehur interes për të zhvilluar një takim të veçantë me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, nëse rrethanat e lejojnë.
Vizita e presidentit Trump në Azi po shihet si përpjekje për të forcuar rolin global të SHBA-së në rajon dhe për të çuar përpara një sërë marrëveshjesh ekonomike e strategjike me aleatët e tij aziatikë.

