Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar para mediave se seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku pritet të votohet Qeveria “Kurti 3”, nuk premton zgjidhje për krizën institucionale. Sipas tij, mungesa e një oferte konkrete nga pozita për tejkalimin e ngërçit politik e bën të pashmangshëm dështimin e radhës.
“Jemi në pritje të rezultatit të seancës së sotme, por epilogu duket se do të jetë një tjetër dështim. Nuk ka pasur asnjë ofertë nga pozita për dalje nga kriza, prandaj zgjedhjet mbeten e vetmja zgjidhje reale,” u shpreh Haradinaj.
Ai theksoi se vendi ka nevojë për një qeveri me program të qartë dhe mbështetje të qëndrueshme parlamentare, gjë që sipas tij mungon në përpjekjen aktuale për formimin e ekzekutivit.

