Në prag të seancës parlamentare për formimin e qeverisë së re, kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane (PLE), Veton Berisha, ka konfirmuar se mbrëmjen e kaluar është takuar me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Takimi, sipas Berishës, ka pasur në fokus diskutimet për krijimin e shumicës parlamentare.
Berisha ka deklaruar se, si deputet, nuk do të jetë pengesë për formimin e qeverisë nëse vota e tij rezulton vendimtare. Ai ka shtuar se janë trajtuar edhe çështje të tjera gjatë bisedës, por nuk ka dhënë detaje nëse ka marrë ndonjë garanci për postin ministror që ka kërkuar në muajt e fundit.
Megjithatë, mbështetja e PLE-së nuk mjafton për të arritur numrin e nevojshëm prej 61 votash. Aktualisht, Vetëvendosje dhe partnerët e saj kanë siguruar 57 vota, çka nënkupton se mbështetja e Nismës apo e ndonjë deputeti tjetër mbetet vendimtare për krijimin e qeverisë.

