Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas dështimit të votimit për formimin e Qeverisë “Kurti 3”, duke deklaruar se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Sipas saj, rezultati i seancës së Kuvendit nuk ishte surprizë, pasi që nga fillimi ka qenë e qartë se Lëvizja Vetëvendosje nuk i kishte numrat e nevojshëm për krijimin e ekzekutivit.
“I patë zhvillimet dhe u vërtetua ajo që e kemi ditur prej fillimit: LVV, edhe pse fituese, nuk i pati votat për të formuar qeverinë. Përkundër deklaratave të shumta se sapo të konstituohet Kuvendi do të sigurohen numrat, kjo nuk ndodhi,” tha Bajrami.
Ajo shtoi se ky dështim e bën të pashmangshme mbajtjen e zgjedhjeve të reja, duke e cilësuar si rrugën e vetme për të dalë nga ngërçi politik.

