Robert Lulgjuraj, biri i Malësisë së Madhe me rrënjë të thella shqiptare, tashmë synon të shkruajë një faqe të re në historinë politike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Robert Lulgjuraj, prokurori shqiptaro-amerikan dhe anëtari i Partisë Republikane, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për në Kongresin Amerikan, me synimin për të përfaqësuar Distriktin e 10-të të Michigan në zgjedhjet e vitit 2026. Me këtë hap të guximshëm, ai jo vetëm aspiron një detyrë të rëndësishme politike, por edhe përfaqësimin e denjë të komunitetit shqiptaro-amerikan në zemër të demokracisë botërore.
Familja Lulgjuraj e ka origjinën nga viset shqiptare në Mal të Zi. Gjyshërit dhe prindërit e tij emigruan drejt Amerikës në vitet 1960, në kërkim të lirisë dhe për të shpëtuar nga trysnia e komunizmit dhe persekutimi fetar. Ata u vendosën në Detroit, ku filluan një jetë të re, të mbushur me sakrifica, punë të ndershme dhe përkushtim ndaj vlerave familjare, një histori e njohur për shumë familje shqiptare të asaj kohe.
Nëna e Robertit punonte si kameriere, profesion që e ushtron ende sot me përulësi dhe dinjitet, ndërsa gjyshja e tij ishte pjatalarëse, dy gra që ndërtuan themelet e një familjeje të ndershme në tokën e premtuar amerikane.
Nga ajo përvojë e vështirë, Robert Lulgjuraj trashëgoi virtytin e punës, respektin për sakrificën dhe krenarinë për prejardhjen e tij shqiptare. Ai është rritur në qytetin Sterling Heights, ku edhe sot njihet si një zë i fortë që nuk ka reshtur kurrë së foluri me krenari për origjinën e tij dhe për vlerat që e kanë formuar si njeri.
Arsimin e nisi në shkollën publike “Grissom” të Sterling Heights, për ta vijuar më pas në shkollën katolike prestigjioze për djem “Brothers Rice”, ku u dallua për disiplinën, përkushtimin dhe frymën udhëheqëse.
Në vitin 2015, ai u diplomua në Studime të Biznesit dhe Shkenca Humane, ndërsa pesë vite më vonë, në vitin 2020, përfundoi doktoraturën në drejtësi në “University of Detroit Mercy School of Law”.
Gjatë viteve të studimeve, Robert Lulgjuraj shfaqi pasionin për politikën. Ai shërbeu si kryetar i të rinjve të Partisë Republikane në qarkun e Macomb, duke dëshmuar lidership dhe vizion për të ardhmen.
Pas përfundimit të studimeve, Lulgjuraj nisi karrierën si avokat në Detroit, ku trajtoi çështje të rënda penale, nga vjedhjet dhe tentativat për vrasje, deri te rastet e trafikimit të lëndëve narkotike.
Më vonë, si prokuror në Wayne County dhe Macomb County, ai ka ndjekur mbi 2,000 raste penale, përfshirë dosje të krimit të organizuar dhe të dhunës së rëndë. Për komunitetin shqiptaro-amerikan, kandidatura e Robert Lulgjurajt përfaqëson një moment historik dhe një burim krenarie.
Nëse arrin të fitojë, Robert Lulgjuraj do të bëhet shqiptaro-amerikani i parë që hyn në Kongresin e SHBA-së që nga fundi i viteve ’80.
Një arritje që do të shënojë jo vetëm suksesin personal të një të riu me origjinë shqiptare, por edhe një gur themeli në historinë e përfaqësimit të shqiptarëve në politikën amerikane.

