Departamenti Amerikan i Bujqësisë la publikuar në faqen zyrtare një njoftim ku paralajmëron se ndihmat federale ushqimore nuk do të shpërndahen më datë 1 nëntor për muajin e pragkrishtlindjeve, për shkak të bllokimit të qeverisë federale.
Në këtë mënyrë miliona njerëz me të ardhura të ulëta nuk do të marrin ndihmën mujore për ushqim (SNAP). Kjo do të thotë që shumë familje nuk do të kenë para për të blerë ushqime në fillim të nëntorit.
Programi SNAP (i quajtur më parë “food stamps”) është ndihma kryesore me të cilën rreth 40 milionë amerikanë blejnë produkte bazë si bukë, qumësht, fruta apo mish. Nëse pagesat ndërpriten edhe për pak ditë, supermarketet, furrat dhe bizneset që shesin ushqime do të kenë më pak shitje, ndërsa bankat e ushqimit (qendrat e bamirësisë që shpërndajnë ushqim falas) do të përballen me rritje të menjëhershme të kërkesës.
Situata bën që familjet më të varfra rrezikojnë të mbeten pa ushqim ndërsa bizneset e vogla që shesin ushqime mund të humbasin klientë.
Nga ana tjetër organizatat humanitare do të kenë më shumë ngarkesë për të ndihmuar njerëzit.
Dhe, nëse bllokimi i qeverisë vazhdon, situata mund të bëhet shumë e vështirë për miliona banorë amerikanë.
Çfarë ndodhi sot
Administrata Trump njoftoi se më 1 nëntor nuk do të shpërndahet ndihmë federale ushqimore. Departamenti Amerikan i Bujqësisë (USDA) ka publikuar një njoftim në faqen e tij zyrtare, ku thuhet se ndihmat federale ushqimore nuk do të shpërndahen më datë 1 nëntor, duke rritur pasigurinë për miliona familje në të gjithë vendin ndërsa bllokimi i qeverisë vazhdon.
Ky njoftim i ri vjen pasi administrata e ish-presidentit Donald Trump bëri të ditur se nuk do të përdorë rreth 5 miliardë dollarë nga fondet rezervë për të mbajtur aktiv Programin e Ndihmës Ushqimore Shtesë (Supplemental Nutrition Assistance Program – SNAP) gjatë nëntorit. Ky program ndihmon rreth një në çdo tetë amerikanë të blejnë ushqime të përditshme.
Në njoftimin e USDA-së thuhet: “Në përfundim, burimi është tharë. Në këtë moment, nuk do të ketë përfitime të shpërndara më datë 1 nëntor. Jemi në një pikë kthese për demokratët në Senat.”
Bllokimi i qeverisë, i cili filloi më 1 tetor, është tashmë i dyti më i gjatë në histori. Ndërsa administrata republikane kishte marrë disa masa për të siguruar pagesat e SNAP gjatë tetorit, ndërprerja e përfitimeve do të zgjeronte ndjeshëm ndikimin e krizës, duke prekur një pjesë më të madhe të amerikanëve — përfshirë ata më në nevojë — nëse nuk gjendet një zgjidhje politike brenda pak ditësh.
Administrata fajëson demokratët, të cilët thonë se nuk do të pranojnë të rihapin qeverinë derisa republikanët të pranojnë të negociojnë zgjatjen e subvencioneve të ligjit për Kujdesin e Përballueshëm (Obamacare). Nga ana tjetër, republikanët këmbëngulin se demokratët duhet të pranojnë rihapjen e qeverisë përpara se të fillojnë negociatat.
Ligjvënësit demokratë i kanë dërguar një letër sekretares së Bujqësisë, Brooke Rollins, ku kërkojnë përdorimin e fondeve rezervë për të mbuluar pagesat e muajit të ardhshëm.
Por një memo e USDA-së, që u bë publike të premten, thotë se “fondet rezervë nuk mund të përdoren ligjërisht për përfitime të zakonshme” dhe se ato janë të destinuara për raste emergjente, si ndihma për zonat e goditura nga fatkeqësitë natyrore.
Dokumenti përmend si shembull stuhinë Melissa, e cila është forcuar në një uragan të fuqishëm, për të ilustruar pse është e rëndësishme që këto fonde të ruhen për raste të tilla emergjente.
Mundësia që miliona familje të mbeten pa ndihmë ushqimore ka shkaktuar shqetësim të madh në të gjitha shtetet, pavarësisht nga përkatësia politike e qeverive të tyre.
Disa shtete kanë premtuar se do të vazhdojnë vetë pagesat e SNAP, edhe nëse programi federal ndalon, por ekziston pasiguri nëse rregullat federale do ta lejojnë këtë. Memoja e USDA-së thekson gjithashtu se shtetet nuk do të rimbursohen nëse vendosin të mbulojnë përkohësisht koston.
Ndërkohë, shtete të tjera u kanë bërë thirrje përfituesve të SNAP të përgatiten për ndërprerje të ndihmës. Për shembull, Arkansas dhe Oklahoma u kanë rekomanduar qytetarëve të identifikojnë qendra ushqimore dhe organizata bamirësie që ofrojnë ndihmë me ushqim.
Senatori demokrat Chris Murphy, nga Connecticut, akuzoi republikanët dhe Trump-in se refuzojnë të negociojnë.
Ai tha në intervistë për CNN: “E vërteta është se nëse do të uleshim për të negociuar, ndoshta do ta zgjidhnim shumë shpejt. Mund ta rihapnim qeverinë të martën ose të mërkurën dhe nuk do të kishte asnjë krizë me programin e kuponëve ushqimorë.”

