Mbrëmë ka pasur një debat mes analistit politik, Sadri Ramabaja, dhe deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda. Debati që u zhvillua në Dukagjin, ndodhi pasi që Ramabaja iu drejtua me pyetjen për familjen e Grudës ‘’veç duhet me na tregu ku i ka punu gjyshi këtij”.
Për këtë, sot Ramabaja ka kërkuar falje publike, duke thënë se dje ka pasur ‘’shkarje’’ nga ana e tij dhe se është ‘’lëshuar në interpretime të gabuar të fakteve dhe të informacioneve të pjesshme që kisha në dispozicion’’.
Postimi i sotëm i Ramabajes:
Kolegut Përparim GRUDA i kërkoj falje publikisht
Në traditën perendimore, kërkimfalja lidhet ngushtë me konceptin e autonomisë morale, ashtu siç e trajtonte filozofi gjerman Immanuel Kant: njeriu është i lirë vetëm kur vepron sipas ndërgjegjes së vet dhe pranon pasojat e veprimeve të tij.
Kërkimi i faljes nuk është akt nënshtrimi, por shprehje e lirisë morale, sepse nënkupton njohjen e gabimit dhe përpjekjen për ta tejkaluar atë.
E potencoj këtë duke rikujtuar një fakt: pas çlirimit të Kosovës (qershor 1999) dhe në prag të marrëveshjes për aneksimin e veriut (2017), unë isha viktimë politike e përzgjedhur nga krerët e PDK-së që atëkohë drejtonin institucionet e Republikës. Ata kishin montuar një nga proceset më skandaloze që ka prodhuar drejtësia kosovare gjatë më shumë se një çerek shekulli, duke më mbajtur peng në burg për plot tre vjet, dhe më pas nën presionin e lloj-lloj trupash gjykuese edhe për dy vjet të tjera, derisa u detyruan të dorëzohen dhe të më shpallin të pafajshëm e të lirë.
Mbrëmë, në emisionin Debat Plus, pata një shkarje nga natyra ime, duke u lëshuar në interpretim të gabuar të fakteve dhe të informacioneve të pjesshme që kisha në dispozicion, duke u bërë kështu pre e logjikës së palës që përfaqësonte kolegu Përparim Gruda – një palë që, për një kohë të gjatë dhe sot, ka ndjekur e ndjek një qasje linçuese ndaj meje në sferën publike.
Duke e rishikuar sot emisionin, jam i ndërgjegjshëm se mund ta kem cenuar dinjitetin e kolegut tim, z. Gruda. Për këtë arsye, përmes kësaj kërkimfaljeje publike, të cilën e konsideroj një akt që tejkalon dimensionin personal, dua ta shndërroj atë në kontribut për kujtesën kolektive dhe për pajtimin si akt moral.
Në këtë kuptim, kërkimfaljen e shoh si produkt të strategjisë dhe forcës morale, të cilën dua ta kultivoj si qytetar aktiv dhe pjesë e jetës publike.
Filozofja Hannah Arendt e quante kërkimfaljen një “akt të rivendosjes së botës”, sepse përmes saj njeriu ndalon ciklin e pafund të dhunës e hakmarrjes dhe hap mundësinë për një fillim të ri.

