Dy zyrat e huaja ligjore: Paraburgimi i Erion Veliajt, pretekst për ta larguar nga detyra

by Nexhat

Dy zyra ndërkombëtare avokatie që përfaqësojnë Erion Veliajn kanë publikuar raportin e dytë të përditësuar lidhur me çështjen ndaj tij në SPAK.

Në raport, masa e paraburgimit ndaj Veliajt cilësohet si e motivuar politikisht, duke u vlerësuar se ai po mbahet në qeli pa pasur rrezik arratisjeje apo pengimi të hetimeve.

banner

Nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë rrezik që Veliaj të arratisej në një juridiksion të huaj. Bashkëshortja e tij, djali shtatëvjeçar dhe nëna e moshuar jetojnë në Tiranë. Miqtë, komuniteti dhe kolegët e tij janë të gjithë të bazuar në Shqipëri. Veliaj e ka ndërtuar të gjithë karrierën dhe jetesën e tij në Shqipëri. Të gjitha pasuritë dhe pronat e tij ndodhen në Shqipëri. Ai kishte çdo arsye për të qëndruar në vend, për të mbrojtur veten dhe për të rikthyer karrierën e suksesshme që u ndërpre nga hetimi i SPAK-ut.

Madje, edhe sikur Veliaj të tentonte të largohej nga Shqipëria – një gjë pothuajse e pamundur për shkak të profilit të tij publik dhe vëmendjes së madhe mediatike që e shoqëron çështjen – ai nuk dispononte asnjë pasuri jashtë vendit që do t’i mundësonte mbajtjen e vetes dhe familjes në një shtet të huaj“, thuhet në raport. 

Sipas avokatëve ndërkombëtarë, qëndrimi i tij në paraburgim është përdorur si pretekst për ta larguar në mënyrë antikushtetuese nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Raporti shton gjithashtu se vendimi i Këshillit Bashkiak për shkarkimin e Veliajt përbën shkelje të parimeve të shtetit të së drejtës.

Më poshtë, deklarata e plotë e studiove ligjore Kasowitz dhe Mishcon de Reya:

Kasowitz LLP (Nju Jork) dhe Mishcon de Reya LLP (Londër) njoftuan sot publikimin e një Raporti të përditësuar Veliaj, me titull “Raport lidhur me përndjekjen politike të Erion Veliajt, kryetarit të Bashkisë së Tiranës.” Ky raport përditëson “Raportin lidhur me ndalimin e padrejtë nga SPAK të një Kryetari Bashkie të zgjedhur në mënyrë demokratike në kryeqytetin e Shqipërisë: Erion Veliaj”, të cilin studiot ligjore e kishin publikuar më 24 qershor 2025.

Raporti i Përditësuar Veliaj shqyrton motivimet e dukshme dhe të papërshtatshme politike që qëndrojnë në themel të çështjes së SPAK-ut ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Sipas raportit, në harkun e tetë muajve, ngjarje kyçe kanë krijuar përshtypjen e pamohueshme se hetimi penal ndaj Veliajt nga SPAK-u nuk është një hetim i zakonshëm. Kryebashkiaku Veliaj mbahet në paraburgim që prej muajit shkurt, pavarësisht faktit se ai nuk paraqet rrezik për t’u arratisur, rrezik për të penguar çështjen e SPAK-ut, apo rrezik për të ripërsëritur veprat e supozuara për të cilat akuzohet. Sipas raportit, fakti që kryebashkiakut Veliaj iu mohua lirimi me kusht – ndërkohë që 17 nga të pandehurit e tjerë, të akuzuar në të njëjtën çështje u lanë të lirë me kushte minimale – ilustron pabarazinë e theksuar në mënyrën si është trajtuar ai nga autoritetet shqiptare.

Për më tepër, Raporti i Përditësuar Veliaj vëren se zhvillimet e fundit politike kanë shtuar shqetësimin se çështja e kryebashkiakut Veliaj është një përndjekje politike e hartuar për t’a hequr atë, në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, nga posti i fituar në mënyrë të rregullt si Kryetar i Bashkisë. Në shtator, Këshilli Bashkiak i Tiranës – duke cituar paraburgimin e pavullnetshëm të kryebashkiakut Veliaj – e shkarkoi atë nga detyra. Siç vë në dukje raporti, ky vendim, i pasuar nga një njoftim i Presidentit të Republikës për mbajtjen e zgjedhjeve të reja për të zëvendësuar kryebashkiakun Veliaj, krijoi përshtypjen se paraburgimi i pajustifikuar i kryebashkiakut Veliaj ka shërbyer si pretekst mbi të cilin autoritetet shqiptare të përpiqen t’a largojnë në mënyrë antikushtetuese nga detyra dhe t’u mohojnë qytetarëve të Tiranës të drejtën e vetëqeverisjes. Ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka pezulluar, për momentin, çdo veprim të tillë deri sa të vendoset mbi ankimin e kryebashkiakut Veliaj, i cili kundërshton vendimin e Këshillit Bashkiak, Raporti i Përditësuar Veliaj shqyrton pasojat e kësaj krize kushtetuese. Një nga vëzhgimet e raportit është se çështja e kryebashkiakut Veliaj përbën një shembull të qartë ku vihet në pikëpyetje angazhimi i Shqipërisë ndaj procesit të rregullt ligjor. Sipas raportit, manovrat e fundit politike të ndërmarra për ta larguar nga detyra kanë cenuar prezumimin e pafajësisë, që kryebashkiakut Veliaj i takon, dhe e kanë privuar atë nga liria dhe detyra – të gjitha këto, përpara se gjyqi i tij të nisë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy