Presidenti i Iranit, Massoud Pezeshkiyan, deklaroi sot se Teherani do të rikthejë plotësisht të gjitha objektet bërthamore që, sipas tij, u shkatërruan nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë sulmeve në muajin qershor.
Gjatë një vizite në selinë e Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, Pezeshkiyan u shpreh: “Shkatërrimi i ndërtesave nuk do të na bëjë të dorëzohemi. Ne do t’i restaurojmë dhe do t’i ndërtojmë me forcë edhe më të madhe këto objekte”
Teherani dhe Uashingtoni zhvilluan bisedime mbi programin bërthamor iranian në prill, të ndërmjetësuara nga Omani.
Dialogu ngeci pas datës 13 qershor, kur Izraeli sulmoi Iranin, duke nisur një konflikt 12-ditor, gjatë të cilit SHBA-ja mbështeti Izraelin.
Presidenti amerikan Donald Trump ka pretenduar muajt e fundit se objektet bërthamore të Iranit janë shkatërruar, megjithatë shkalla e dëmeve mbetet e paqartë.
Ndërkohë, Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, reagoi në fund të tetorit duke thënë se Trump po “ëndërron” nëse beson se ka shkatërruar kapacitetet bërthamore të Iranit.
Omani, që ka shërbyer si ndërmjetësues për disa raunde takimesh mes dy vendeve, u bëri thirrje të dy palëve të rikthehen në tryezën e bisedimeve.
Vendet perëndimore dhe Izraeli dyshojnë se Irani kërkon të zhvillojë armë bërthamore.
Teherani mohon këto akuza, duke këmbëngulur se programi bërthamor ka qëllime civile dhe energjetike

