Policia në Gjakovë ka njoftuar se ka konfiskuar dy armë pa leje në dy raste të ndara.
Në rastin e parë, rreth orës 10:30, në fshatin Lugbunar, njësiti patrullues gjatë kryerjes së detyrave policore ka hasur një person të dyshuar duke mbajtur me vete një armë të gjatë – gjuetie me katër copë fishekë, për të cilën i dyshuari nuk posedonte leje përkatëse. Sipas deklarimit të tij, arma ishte e trashëguar.
Në rastin e dytë, rreth orës 13:00, në Gjakovë, gjatë një kontrolli rutinë, patrulla policore ka ndaluar një motoçikletë, dhe gjatë kontrollit tek pasagjeri, në posedim të paautorizuar është gjetur një pistoletë me një karikator dhe dhjetë fishekë.
“Për të dy rastet është njoftuar prokurori i shtetit, në konsultim me të cilin janë iniciuar rastet për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe do të trajtohen në procedurë të rregullt.”

