Drafti i Raportit të Progresit për Kosovën: BE-ja vlerëson përkushtimin, por kritikon ngërçin politik dhe mungesën e reformave

by engel

Bashkimi Evropian vlerëson se Kosova ka treguar përkushtim të qartë ndaj rrugës evropiane dhe harmonizimit të politikës së jashtme me BE-në, por paralajmëron se përparimi i saj është penguar ndjeshëm nga ngërçi politik dhe përplasjet e brendshme pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Kështu thuhet në draftin e Raportit të Progresit për Kosovën për vitin 2024, të siguruar nga Radio Evropa e Lirë, ku theksohet se “përçarjet politike dhe mungesa e stabilitetit institucional kanë ngadalësuar reformat dhe proceset e integrimit evropian”.

banner

Dokumenti nënvizon se, ndonëse Kosova ende nuk e ka statusin e vendit kandidat, ajo ka dëshmuar përkushtim të konsiderueshëm ndaj vlerave të BE-së, veçanërisht në përafrimin e politikës së jashtme dhe në fushën e sundimit të ligjit.
“Ky është një sinjal pozitiv që reflekton gatishmërinë e autoriteteve kosovare për të avancuar në rrugën drejt anëtarësimit,” thuhet në draft.

Raporti përmend gjithashtu se Komisioni Evropian ka filluar procesin për heqjen graduale të masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës në vitin 2023, pas trazirave në komunat veriore. Heqja e plotë e masave, sipas BE-së, do të varet nga “shtensionimi i qëndrueshëm në veri dhe funksionalizimi i qeverisjes lokale pas zgjedhjeve të tetorit 2024”.

Në zgjedhjet e fundit lokale, katër komunat me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – u rikthyen nën drejtimin e Listës Serbe, pas më shumë se dy vitesh nën administrim të përkohshëm nga kryetarë shqiptarë.

Draft-raporti rikujton se masat e BE-së i kanë kushtuar Kosovës rreth 613 milionë euro në projekte të pezulluara, duke ndikuar kryesisht në sektorët e mjedisit, energjisë dhe digjitalizimit.

Një pjesë e veçantë i është kushtuar edhe dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. BE-ja kërkon nga të dyja palët që të zbatojnë marrëveshjet e arritura në vitin 2023 dhe të shmangin retorikën përçarëse. “Kosova duhet të sigurojë që të gjitha komunitetet të kenë qasje të barabartë në shërbimet publike, në përputhje me obligimet e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja,” thuhet në dokument.

Në pjesën për Serbinë, raporti kritikon Beogradin për mospërshtatje me politikën e jashtme të BE-së dhe për retorikë anti-evropiane, duke përmendur gjithashtu “përdorimin e tepruar të dhunës ndaj protestuesve dhe presionin ndaj shoqërisë civile”.

Në anën tjetër, Shqipëria dhe Mali i Zi janë përmendur si shembuj pozitivë të përparimit të shpejtë në procesin e integrimit. Shqipëria veçohet për “reformat e thella në drejtësi dhe rezultatet konkrete të SPAK kundër korrupsionit”, ndërsa Mali i Zi për “hapjen dhe mbylljen e shumicës së kapitujve të anëtarësimit”.

Në përfundim, drafti i raportit thekson se zgjerimi i BE-së mbetet “mjeti kryesor gjeopolitik për stabilitet dhe siguri në kontinent”, ndërsa shtetet aspiruese – përfshirë Kosovën – duhet të përshpejtojnë reformat për të përmbushur standardet e kërkuara.

“Evropa duhet të përgatitet për një familje më të madhe, ndërsa fqinjët e saj duhet të jenë të gatshëm të marrin përgjegjësitë që sjell anëtarësimi,” përfundon drafti i raportit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy