Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka nisur zyrtarisht fushatën për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale nga një vend simbolik – ura mbi Liqenin Akumulues.
Në hapjen e fushatës, Tahiri u shoqërua nga partnerët e koalicionit, duke theksuar se vendi i nisjes nuk është zgjedhur rastësisht, por si simbol i bashkimit dhe përkushtimit për qytetin.
“Simbolikisht, me besim e përkushtim, nga sot me partnerët e koalicionit po e vazhdojmë fushatën për qytetin tonë. E nisëm nga ura mbi Liqenin Akumulues, si simbol i lidhjes, bashkimit dhe dashurisë sonë për Mitrovicën,” ka shkruar Tahiri në një postim në rrjetin social Facebook.
Ai tha se koalicioni i gjerë që ka arritur PDK-ja për raundin e dytë është dëshmi e vullnetit për bashkëpunim politik dhe përfaqësim gjithëpërfshirës në qeverisjen lokale.
PDK në Mitrovicë ka lidhur marrëveshje për bashkëpunim zgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe me përfaqësues të komunitetit turk.
Fushata për balotazhin e 9 nëntorit pritet të jetë vendimtare për drejtimin e ardhshëm të Mitrovicës, ndërsa Tahiri ka premtuar “një qeverisje të përgjegjshme dhe projekte konkrete për zhvillimin ekonomik, infrastrukturor dhe kulturor të qytetit.”
 
 
 
 
