Shefi ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka reaguar ashpër në intervisten e tij dhënë në TV Dukagjini në emisionin “Five” pas deklaratave të kryeministrit në detyrë ku ai kishte thënë se “nuk do të ketë mbështetje financiare për kryetarët që nuk punojnë, vjedhin apo keqpërdorin.” Sipas Ibrahimit, kryeministri në detyrë kishte sulmuar kryetarët edhe më herët kur kishte thënë se “krimi ka zbritur në nivel lokal”.
Në reagimin e tij, Ibrahimi ka theksuar se deklarata të tilla janë të papranueshme dhe fyese për kryetarët e komunave, të cilët, sipas tij, janë të zgjedhur nga qytetarët dhe përfaqësojnë vullnetin demokratik të tyre.
“Deklarata e kryeministrit në detyrë ka indinjuar kryetarët e komunave të Kosovës. Nuk i ka hije një lideri politik që të fyejë dhe të ofendojë përfaqësuesit lokalë dhe të polarizojë shoqërinë,” ka deklaruar Ibrahimi.
Ai ka shtuar se ndarja e buxhetit për komunat nuk është çështje personale apo partiake, por përcaktohet qartë me ligj dhe formula zyrtare të miratuara në Kuvend.
“Ndarja e buxhetit kryhet sipas ligjeve dhe formulave zyrtare, dhe jo nga një individ, kushdoqoftë ai. Kryeministri në detyrë nuk është personi që vlerëson kush po punon e kush jo, apo kush po vjedh e kush jo,” theksoi Ibrahimi.
Sipas tij, në vend që të sulmojë dhe pengojë nivelin lokal të qeverisjes, qeveria qendrore duhet të tregojë bashkëpunim dhe mirëkuptim.
“Niveli qendror duhet ta shtrijë dorën e bashkëpunimit te niveli lokal dhe jo të sulmojë e të pengojë punën e komunave,” përfundoi shefi ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës.
 
 
 
 
