Bekim Salihu nga Instituti GAP, ka komentuar koalicionet mes partive politike nëpër komunat të cilat më 9 nëntor do t’i nënshtrohen procesit të balotazhit.
Salihu në emisionin “Interaktiv” në KTV, tha se të dhënat tregojnë që Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë ka mobilizuar strukturat e saj që të kontaktojnë me strukturat e PDK-së për ndonjë koalicion qoftë edhe joformal.
“Të dhënat tregojnë që Vetëvendosjë është e interesuar për votat e PDK-së në Prishtinë. Ka mobilizuar strukturat e saj në Prishtinë që të kontaktojnë me strukturat e PDK-së, me qëllim që të krijohet një koalicion formal ose joformal me qëllim të marrjes së kësaj vote. A kanë arritur diçka në këtë drejtim, këtë informacion nuk e kam”, deklaroi Salihu.
Deklaratën e nënkryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj se do ta votonte Përparim Ramën në balotazh, Salihu e quajti mesazh për votuesit e partisë së tij.
“Është dërgim mesazhi. Enver Hoxhaj si person dhe personalitet në PDK ka ndikim, ka emër, ka një imazh të pranueshëm te struktura e PDK-së përgjithësisht dhe natyrisht që pozicionimi i tij ose deklarimi i tij e dërgon një mesazh dhe unë mund ta kuptoj edhe si një lloj përpjekje për ta mobilizuar votën e PDK-së në favor të Përparim Ramës në Prishtinë. Edhe sinjalet e tjera që i ka dërguar PDK-ja në periudhën e fundit lënë të kuptojnë që më shumë PDK-ja do të pozicionohet në përkrahje të LDK-së, e më pak ka gjasa të pozicionohet në përkrahje të LVV-së”, tha ai.

