Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar për progres raportin e KE për vendin, i cili vlerëson arritjet në reformat kyçe dhe përparimin e qëndrueshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e ka cilësuar raportin si “një pasqyrë të pakthyeshmërisë së Shqipërisë në rrugën europiane”, duke nënvizuar se dokumenti reflekton “angazhimin e palëkundur të Qeverisë dhe të institucioneve shqiptare ndaj standardeve dhe vlerave të BE-së”.
Sipas Ministrisë, raporti i Komisionit Europian “përshëndet angazhimin e fortë politik të Shqipërisë në procesin e integrimit” dhe evidenton përparimin e rëndësishëm në reformat themelore, veçanërisht në reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në bashkëpunimin ndërkombëtar në këto fusha.
Në raport theksohet gjithashtu se negociatat e anëtarësimit kanë përparuar me një ritëm “të paprecedentë”, me hapjen e 28 kapitujve brenda një viti, ndërsa pesë të tjerë pritet të hapen deri në fund të 2025-ës. Komisioni ripohoi gjithashtu mbështetjen për objektivin e Shqipërisë për përmbylljen e negociatave deri në vitin 2027, në një proces të bazuar plotësisht në meritë.
Sipas Ministrisë së Jashtme, progres raporti për Shqipërinë, konsiderohet raporti më pozitiv i publikuar ndonjëherë për marrëdhëniet mes vendit tonë dhe BE-së, duke reflektuar “punën e madhe të bërë nga ekipi negociator, administrata publike, institucionet qendrore e vendore, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me Komisionin Europian dhe institucionet e tjera të BE-së”.
Në përfundim, Ministria e Jashtme thekson se gjetjet dhe rekomandimet e raportit përbëjnë “një moment të rëndësishëm reflektimi për të vlerësuar rrugën e deritanishme dhe për të forcuar përgjegjësinë për të vijuar përpara me fokus, vendosmëri dhe rezultate konkrete”.
“Integrimi në BE mbetet udhërrëfyesi ynë strategjik për forcimin e demokracisë, zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, në dobi të një të ardhmeje të përbashkët europiane”, përfundon reagimi i Ministrisë

