Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tek sot bëri me dije se i ka dërguar një letër kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, që ofronte garanci shtetërore për lirimin me kusht të të gjithë të akuzuarve në Hagë. Për letrën e nisur në shtator të 2022-ës, Kurti tha se pranoi përgjigje nga ajo dy javë pas, por situata në terren s’ndryshoi gjë. Disa muaj para se Kurti të conte letër nënkryetari i PDK-së, Sami Lushtaku, kishte deklaruar se Kurti s’mund të ishte as kryeministër nëse nuk do ta bënte një gjë të tillë.
“Për ta lehtësuar këtë proces për familjet, si dhe për të akuzuarit, jam i gatshëm të ofroj garanci shtetërore për lirimin me kusht të të gjithë të akuzuarve”.
Në pesëvjetorin që kur prej kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në paraburgim në Hagë ku po gjykohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, publikoi një letër të 2022-ës, e cila s’ishte parë më herët në publik.
“E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës”, tha Kurti, duke pretenduar se kanë “punuar gjatë dhe me përkushtim” për këtë çështje.
Por, ai tha se këtë e ka bërë në heshtje sepse “shpesh puna e mirë bëhet pa zhurmë”.
“Por, ndonjëherë puna që nuk shihet, nuk dihet”, foli Kurti me tone ankese për kritikat që kishte marrë për rolin e tij si kryeministër për procesin gjyqësor të Hagës.
“Përgjigjja e znj. Trandafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë. Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje”, tha Kurti për përgjigjen e Trandafilovës pasi i kishte thënë asaj se të akuzuarit mund të kthehen në shtëpi ndërkohë që presin gjykimin, pasi Policia e Kosovës ka garantuar se mund të mbikëqyrë arrestin e tyre shtëpiak nëse është e nevojshme.
Në mars të 2021-ës, Albin Kurti mori drejtimin e ekzekutivit kosovar – gjatë gjithë mandatit ai është akuzuar se s’është angazhuar sa duhet për ta dhe se i ka kufizuar edhe fondet.
Diku një muaj pasi kishte marrë timonin e qeverisë, nënkryetari i PDK-së, Sami Lushtaku, i në një debat televiziv i kishte thënë Kurti s’mund të ishte kryeministër pa e dhënë një garanci të tillë shtetërore.
“Nëse Kurti nuk i jep këtë siguri për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK’së që po gjykohen në Hagë, unë mendoj që moralisht Kurti nuk është kryeministër i Kosovës”, kishte thënë Lushtaku.
Mbrojtja e të akuzuarve në Hagë në vazhdimësi kishte paraqitur kërkesën që ish-krerët e UÇK-së të mund të gjykoheshin në liri.
Por, kjo ishte refuzuar edhe me pretekstin se ata do të ndikonin në dëshmitarët e prokurorisë.
Në të kaluarën, për të akuzuarit e Kosovës në Hagë, garanci për lirim të përkohshëm kanë ofruar shefat e UNMIK-ut./Gazeta Express

