Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur të mërkurën mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, rezultatet e arritura në rundin e parë të zgjedhjeve lokale dhe angazhimin për balotazhin e 9 nëntorit.
Në njoftimin për media, PDK ka vlerësuar se “dhënia përsëri e mandatarit Lëvizjes Vetëvendosje përbën humbje kohe, zvarritje të panevojshme dhe thellim të krizës institucionale”, duke theksuar se askush nuk ka shumicën për të formuar qeverinë aktuale.
Kryesia e partisë ka riafirmuar njëzëri qëndrimin se “PDK nuk do të japë votë për asnjë mandatar nga LVV” dhe se “mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është zgjidhja e vetme për tejkalimin e ngërçit politik dhe për t’u kthyer qytetarëve të Kosovës të drejtën për të vendosur drejtimin e vendit”.
Sipas partisë, kriza e stërzgjatur ka dëmtuar çdo sektor, ndërsa ekziston rreziku që buxheti i shtetit të mos miratohet me kohë, duke rrezikuar pagesat për qytetarët vitin e ardhshëm.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka falënderuar anëtarët dhe përkrahësit për angazhimin e tyre, duke theksuar se “PDK është rikthyer në vendin e parë pas 12 vitesh për nga vota popullore në zgjedhjet lokale, me gjithsej 187.526 vota dhe 206 ulëse në kuvendet komunale”.
Ai u bëri thirrje strukturave të partisë për vazhdim të mobilizimit në komunat ku PDK është në garë për balotazh: Mitrovicë, Prizren, Vushtrri, Kaçanik, Klinë dhe Dragash.

