Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, tha se nuk ka të paprekshëm në Shqipëri, për ne është e rëndësishme prova dhe jo emri.
Ai ka folur për herë të parë gjerësisht për punën e Prokurorisë së Posaçme në një intervistë në RTSH, duke përcjellë një mesazh të qartë kundër pandëshkueshmërisë.
Duke bërë bilancin e tre viteve në drejtimin e institucionit, Dumani theksoi se vlerësimi për atë nëse mandati i tij është historik apo jo u takon qytetarëve dhe palëve të treta, jo atij vetë.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse SPAK po trondit politikën dhe krimin, Dumani theksoi parimin themelor të punës së prokurorisë:
“SPAK që nga krijimi i tij 6 vite më parë, ka treguar se ka dhënë shenja se nuk ka të paprekshëm. Të gjithë janë të barabartë para ligjit, pavarësisht funksionit që ata kanë, politik, publik apo fuqisë financiare që mbartin.”
Ai hodhi poshtë akuzat për selektivitet, duke besuar se këto vite kanë vërtetuar që SPAK është i aftë të ushtrojë ndjekjen penale ndaj çdo subjekti. Për të provuar suksesin, Dumani u shpreh se duhet pritur edhe vulosja e vendimeve në gjykata:
“Tani vendime të para të formës së prerë kanë ardhur. Kemi zyrtarë shumë të lartë, të lartë që janë dënuar me vendime të formës së prerë të gjykatave.”
Kreu i SPAK nënvizoi se puna e tyre nuk kufizohet vetëm në luftën kundër korrupsionit, por përfshin edhe krimin e organizuar dhe terrorizmin, fusha ku ka pasur bashkëpunim të suksesshëm me agjensitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit në Evropë, SHBA dhe Rajon.
Sa i përket prioriteteve në hetime, Dumani ishte kategorik: “Ne nuk i ndajmë hetimet sipas përkatësisë politike dhe funksioneve publike, por për ne është e rëndësishme prova. Për prokurorët e SPAK është e rëndësishme prova dhe jo emri.”
Ai shtoi se periudha 3-vjeçare në drejtimin e tij ka koinciduar me rritje të numrit të hetimeve për organizata dhe grupe kriminale, duke u përpjekur gjithmonë për hetime shteruese dhe respektim të të drejtave të të pandehurit

