Tri organizata ndërkombëtare të medieve – Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medieve (ECPMF), Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dhe Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI) – i kanë dërguar një letër kryeministrit në detyrë Albin Kurti, përmes së cilës kërkojnë që qeveria të lëshojë menjëherë buxhetin për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) dhe të garantojë lirinë e medias në vend.
Në letrën e përbashkët, organizatat theksojnë se vonesat në transferimin e buxhetit kanë shkaktuar mosmarrje pagash për punonjësit e RTK-së, të cilët kanë protestuar për të dytën herë radhazi për këtë çështje.
“I nderuar Kryeministër në detyrë, z. Albin Kurti, ne, organizatat nënshkruese, ju bëjmë thirrje që menjëherë të merrni vendimin dhe veprimet e nevojshme për të transferuar buxhetin e kërkuar për RTK-në, në mënyrë që punonjësit të mund të marrin pagat e tyre. Sot, punonjësit e RTK-së protestuan për herë të dytë për shkak të vonesave në pagesë. Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me ta. Aktualisht, RTK nuk ka bord funksional, mandati i drejtorit ka skaduar dhe situata është bërë kritike”, thuhet në letrën e përbashkët.
Tri organizatat i kërkojnë qeverisë që të veprojë pa vonesë, duke theksuar se pagesa e punonjësve është një e drejtë themelore dhe se zvarritjet në këtë proces dëmtojnë funksionimin e transmetuesit publik.
“Një vendim i tillë do të tregonte gjithashtu përkushtimin e qeverisë për të adresuar shqetësimet e theksuara në Raportin e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën, i cili vuri në dukje mungesën e përparimit në fushën e lirisë së medias dhe përmendi posaçërisht çështjen e buxhetit të transmetuesit publik,” thuhet ndër të tjera në letrën e ECPMF, EFJ dhe IPI-së.

