Hezbollah refuzon çdo negociatë dhe shpall të drejtën për vetëmbrojtje
Izraeli ka rifilluar sulmet ajrore në jug të Libanit, duke goditur objektiva të grupit Hezbollah. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë libaneze, nga bombardimet ka të paktën një viktimë. Ushtria izraelite u ka bërë thirrje banorëve të zonës që të largohen, pasi sipas saj aty ndodhen struktura ushtarake të milicisë pro-iraniane.
“Israeli do të mbrojë kufijtë e tij dhe do të kërkojë zbatimin e plotë të armëpushimit”, deklaroi zëdhënësja e qeverisë izraelite, Sosh Bedrosian.
Letra e hapur e Hezbollah-ut: “Armiku po shkel armëpushimin”
Në përgjigje të intensifikimit të sulmeve, Hezbollah publikoi të enjten një letër të hapur, duke refuzuar çdo negociatë dhe duke mbrojtur “legjitimitetin e të drejtës për vetëmbrojtje”.
Grupi pretendon se ka respektuar plotësisht marrëveshjen e armëpushimit, ndërsa “Izraeli vazhdon me shkeljet”.
SHBA kërkon zgjidhje diplomatike
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po nxisin rifillimin e dialogut politik mes Izraelit dhe Libanit, por deri më tani nuk ka shenja për përparim.
Sipas autoriteteve izraelite, sulmet kanë si qëllim të pengojnë Hezbollah-un të riarmatoset dhe të rindërtojë forcat e tij. Kryeministri Benjamin Netanyahu akuzoi të dielën milicinë libaneze për përpjekje për t’u riarmatosur, ndërsa ministri i mbrojtjes Israel Katz kritikoi presidentin e Libanit për “neglizhencë” ndaj procesit të çarmatimit të grupit.
Presione mbi qeverinë libaneze
Hezbollah ka dalë i dobësuar nga muajt e përplasjes me Izraelin, ndërsa SHBA-të kanë shtuar presionin ndaj qeverisë libaneze për ta çarmatosur.
Letra e hapur e grupit – e para në historinë e tij – publikohet në një moment kur Bejruti duhet të raportojë për ecurinë e planit kombëtar të çarmatimit.
Plani parashikon që ushtria libaneze të përfundojë çarmatimin e Hezbollah-ut në jug të vendit dhe më pas, deri në fund të vitit, të zbatojë procesin në të gjithë territorin.
Komunikimi i vetëm: mekanizmi i armëpushimit
Aktualisht, i vetmi kanal zyrtar i komunikimit mes Izraelit dhe Libanit është mekanizmi i monitorimit të armëpushimit, ku marrin pjesë edhe SHBA, Franca dhe OKB.

