Kryeministri Edi Rama ka folur mbi situatën e krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, gjatë episodit të radhës të podcastit “Flasim”.
Rama theksoi se kryeqyteti nuk mund të mbetet pa një drejtues të zgjedhur dhe paralajmëroi se, nëse nuk do të ketë zgjedhje në Tiranë deri në vitin 2027, vendi do të përfshihet nga një “disproporcion i dyfishtë”.
“Ka disa rrjedhime logjike nga ky vendim që dua t’i ritheksoj. Siç duket, dhe nuk është hera e parë që duket për ata që duan të shohin, unë nuk i paskam kapur të gjitha pushtetet,” tha kryeministri.
Ai shtoi se mbajtja në qeli e Veliajt, dëmton qytetarët, teksa shprehu pritshmërinë që Gjykata Kushtetuese të rishikojë masën ndaj kryebashkiakut.
“Më duket normale që Kushtetuesja, kur të gjykojë masën, ta lirojë dhe ai të vijojë gjykimin në liri. Tirana duhet drejtuar, nuk mund të jetë një trup pa kokë. Kryeqyteti ka nevojë për të zgjedhurin e vet në krye,” u shpreh Rama. Kreu i qeverisë e quajti situatën një “ngërç absurd” dhe akuzoi institucionet që, sipas tij, po e lënë kryeqytetin pa drejtim.
“Kush e ka në dorë të ndihmojë në zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, duhet ta bëjë. Kryeqyteti s’mund të trajtohet si jetim. Ky është skandal në vetvete,” deklaroi ai.

