Guardiola flet para ndeshjes me Liverpoolin: Ata na kanë bërë më të mirë

by Nexhat

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka folur para mediave në prag të superndeshjes të së dielës kundër Liverpoolit, një përballje që mund të jetë vendimtare në garën për kreun e tabelës në Premier League.

Ndeshja zhvillohet në Etihad Stadium, ndërsa kampionët në fuqi kërkojnë të hakmerren pas humbjes dyfishe që pësuan sezonin e kaluar – diçka që ndodhi për herë të parë që nga viti 2015-16.

banner

Aktualisht, Arsenali kryeson tabelën me gjashtë pikë më shumë se City dhe shtatë më shumë se Liverpooli, çka e bën këtë sfidë tejet të rëndësishme për të dyja skuadrat.

Guardiola do të shënojë një moment historik në karrierën e tij, pasi përballja e së dielës do të jetë ndeshja e 1,000-të në karrierë si trajner, pas së cilës do të futet në Shoqatën e Trajnerëve të Ligës (LMA Hall of Fame).

“Kemi arritur gjëra të jashtëzakonshme në Barcelonë, Bayern Munich dhe këtu në City. Është e pabesueshme. Është e vështirë të arrish një shifër të tillë dhe po të nisesha sërish, ndoshta nuk do ta arrija. Shpresoj që të dielën ta vazhdojmë këtë rrugëtim”, deklaroi Guardiola.

Trajneri spanjoll foli edhe për rivalitetin e gjatë me Liverpoolin dhe për ndikimin që ky duel ka pasur në përmirësimin e të dy skuadrave.

“Absolutisht. Mendoj se ne e kemi shtyrë Liverpoolin të bëhet më i mirë dhe ata kanë bërë të njëjtën gjë me ne, pa dyshim”, tha ai.

I pyetur për ndeshjen e tij të preferuar kundër “The Reds”, Guardiola u shpreh se nuk mund të zgjedhë një të vetme.

“Nga këto 1,000 ndeshje? Nuk mund të zgjedh një. Ka disa që më kujtojnë momente të mira – dhe disa të tjera më pak të mira. Por kjo është pjesë e udhëtimit; përdor çdo përvojë për t’u bërë më i mirë e për të vazhduar përpara. Të nesërmen dielli lind sërish, dhe ti përgatitesh për tjetrën”, përfundoi Guardiola

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy