Të shtunën në mëngjes, një ditë para ditës së votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpërndarë fletëvotimet dhe materialin zgjedhor në Qendrat Komunale të Numërimit për 18 komunat ku të dielën mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave.
Votimi zhvillohet në 525 Qendra të Votimit me 1,648 vendvotime, duke përfshirë vendvotimet e rregullta dhe ato për votimin me kusht. Janë shtypur 1,158,015 fletëvotime, rreth 16% më pak se numri i qytetarëve me të drejtë vote në këtë raund, që sipas KQZ-së është 1,316,672.
Qendrat e Votimit hapen të dielën në orën 07:00 dhe mbyllen në 19:00, duke mundësuar pjesëmarrje të sigurt për qytetarët në komunat Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

