Bisedimet e paqes midis Afganistanit dhe Pakistanit u ndërprenë, megjithëse armëpushimi vazhdon midis fqinjëve të Azisë Jugore.
Zëdhënësi i talebanëveZabihullah Mujahid tha se negociatat kishin dështuar për shkak të këmbënguljes së Islamabadit që Afganistani të marrë përgjegjësinë për sigurinë e brendshme të Pakistanit, një kërkesë që ai e përshkroi si përtej “kapacitetit” të Afganistanit.
Por, tha ai, “Armëpushimi që është vendosur nuk është shkelur nga ne deri më tani dhe do të vazhdojë të respektohet.”
Të premten, Ministri i Mbrojtjes i Pakistanit, Khawaja Muhammad Asif, tha se bisedimet e paqes me Afganistanin në Stamboll, që synonin parandalimin e përplasjeve të reja kufitare, kishin dështuar , duke shtuar se armëpushimi do të zbatohej për sa kohë që nuk do të kishte sulme nga toka afgane.
Trupat afgane dhe pakistaneze shkëmbyen zjarr për pak kohë të enjten përgjatë kufirit të tyre të përbashkët, në të njëjtën ditë që bisedimet e paqes rifilluan në Stamboll.
Ushtritë e fqinjëve të Azisë Jugore u përleshën muajin e kaluar, duke vrarë dhjetëra persona, në dhunën më të keqe që kur talebanët u kthyen në pushtet në Afganistan në vitin 2021.
Të dyja palët nënshkruan një armëpushim në Doha në tetor, por një raund i dytë negociatash në Stamboll javën e kaluar përfundoi pa një marrëveshje afatgjatë për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi grupet militante armiqësore ndaj Pakistanit që veprojnë brenda Afganistanit.
Për dekada të tëra, Pakistani dhe talebanët kanë pasur marrëdhënie të ngrohta, por marrëdhëniet janë përkeqësuar ndjeshëm vitet e fundit.
Përleshjet e tetorit pasuan sulmet ajrore pakistaneze në fillim të muajit në Kabul – ndër të tjera – që synonin kreun e talebanëve pakistanezë.

