Ka përfunduar seanca dëgjimore për Astrit Isufin, të dyshuarin për vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Naim dhe Driton Morina në Gollubovc të Malishevës.
Zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Gjakovës, Lekë Muqaj, për Klankosova.tv ka bërë të ditur se për Isufin pritet të merret shumë shpejt vendimi, njofton Klankosova.tv.
Seanca është zhvilluar brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, pasi Isufi po merrte trajtim mjekësor aty që nga dje, për shkak të një plagosjeje që kishte pësuar në pjesën e poshtme të barkut.
Isufi dyshohet se të enjten, më 6 nëntor, ka vrarë vëllezërit e gruas së tij nga fshati Gollubovc i Malishevës. Ai ishte në arrati dhe u arrestua nga Policia e Kosovës më 7 nëntor, rreth orës 06:30. I njëjti u kap në fshatin Plloçicë të Malishevës, pasi ishte fshehur në shtëpi të pabanuara.
Pas arrestimit, fillimisht ai mori trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë dhe më pas u dërgua në QKUK.

