Piloti britanik i McLaren, Lando Norris, fitoi sot garën sprint të zhvilluar në pistën e Interlagos, në Brazil, duke u shkëputur 8 pikë në renditjen e përgjithshme nga shoku i tij i skuadrës Oscar Piastri.
Ky i fundit pësoi një aksident në xhirot e para ta garës, duke dalë jashtë piste dhe nuk mori asnjë pikë (ndodhet 9 pikë pas Norris).
Një garë e dominuar nga Norris, që e nisi atë nga “pole“ dhe e mbrojti kreun deri në fund. Në podium, në vendet 2-3, u renditën edhe dy makinat Mercedes, me italianin Kimi Antonelli që la pas shokun e tij të skuadrës George Russell. Antonelli, në xhirot e fundit synoi edhe fitoren, por pa mundur të parakalojë Norris.
Në vendin e katërt i rendit Max Verstappen me Red Bull, që nuk ishte në gjendje të duelonte për fitoren, duke humbur disi terren në renditje. Pas tij u rendit Charles Leclerc me Ferrari, që mezi arriti të parakalonte Fernando Alonso (i gjashti me Aston Martin). Në zonën e pikëve edhe Lewis Hamilton (i shtati) dhe Pierre Gasly (i teti).
Gara e sotme sprint nisi në një pistë disi të lagur për shkak të shiut, por pilotët garuan të gjithë me gomat normale. Gara u ndal pas 7 xhirosh pas një aksidenti të trefishtë në kthesën e fundit, kun ë të njëjtin vend dolën njëri pas tjetrit Piastri, Colapinto e Hulkenberg. Edhe në xhiron e fundit pati një aksident të Bortoleato në kthesën e parë.

