Presidenti amerikan Donald Trump ka refuzuar kërkesën për falje nga BBC, pas skandalit që shpërtheu për redaktimin e gabuar të një pjese të fjalimit të tij nga janari 2021. Ai ka paralajmëruar se do të ndërmarrë padi ndaj transmetuesit publik britanik, duke e akuzuar për “keqinformim të qëllimshëm”.
Sipas BBC-së, rrjeti ka pranuar letrën nga ekipi ligjor i Trump dhe ka njoftuar se do të përgjigjet “në kohën e duhur”. Skandali u zbulua fillimisht nga gazeta The Telegraph, e cila raportoi se në një dokumentar për ngjarjet e 6 janarit dhe sulmin ndaj Kapitolit, BBC kishte bashkuar dy pjesë të ndryshme të fjalimit të Trump-it.
Në versionin e transmetuar, Trump dëgjohej duke u thënë mbështetësve se “do të shkojmë në Kapitol për të luftuar me zjarr”, ndërsa mungonte pjesa ku ai i bënte thirrje për të marshuar “paqësisht dhe patriotikisht”. Në realitet, këto dy segmente kishin një diferencë kohore prej afro një ore.
Pas reagimeve të ashpra publike, presidenti i BBC-së, Samir Shah, kërkoi ndjesë duke e cilësuar ngjarjen si “gabim në gjykim”. “Pranojmë se mënyra e montimit krijoi përshtypjen e një thirrjeje për dhunë. BBC kërkon falje për këtë gabim,” thuhej në deklaratën e tij drejtuar Komisionit për Kulturë, Media dhe Sport.
Shah gjithashtu mohoi se rrjeti kishte tentuar të fshihte çështjen, pas akuzave të ish-këshilltarit etik Michael Prescott, i cili dha dorëheqje në qershor duke pretenduar mungesë transparence brenda BBC-së.
Trump, i njohur për marrëdhëniet e tensionuara me median, ka paralajmëruar se “kjo çështje nuk do të kalojë pa përgjegjësi”. BBC ndërkohë ka konfirmuar se është në kontakt me ekipin ligjor të presidentit amerikan dhe se do të japë një reagim zyrtar në ditët në vijim./BBC

