Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka konsideruar si të papranueshme dhe të padinjitetshme gjuhën ofenduese që zëvendëskryeministrja në detyrë, Donika Gërvalla, përdori ndaj Televizionit 7 dhe gazetarit Leonard Kërquku, moderator i emisionit Pressing.
AGK-ja e ka dënuar ashpër përdorimin e një fjalori të tillë nga një zyrtare e lartë të shtetit, duke theksuar se sulmet synojnë të minojnë punën e mediave dhe gazetarit.
Në reagimin e saj, AGK-ja i ka ftuar zyrtarët e Qeverisë në detyrë dhe përfaqësuesit e partisë shumicë të mandatit të kaluar që të tregojnë përmbajtje në reagimet publike dhe të shmangin sulmet ndaj mediave.
Asociacioni gjithashtu dënoi çdo formë dhune dhe mungesë tolerance që mund të manifestohet gjatë transmetimeve të drejtpërdrejta të debateve politike.

