Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Komisariatin e Krujës, ka zbuluar një sasi të madhe armësh dhe lëndësh plasëse gjatë operacionit të koduar “Tracking”, i lidhur me hetimet mbi atentatin e 11 nëntorit pranë rrethrrotullimit të Rinasit. Operacioni vijon ende në terren, ndërsa uniformat blu po përpiqen të zbardhin çdo detaj që mund të ndihmojë në identifikimin e autorëve të ngjarjes.
Gjatë kontrollit në një banesë të fshatit Zall në Fushë-Krujë, policia ka zbuluar një arsenal të vërtetë lufte. Në ambientet e brendshme u sekuestruan 3 kallëpë tritol, 12 granata dore sulmuese, lëndë plasëse të montuara me kapsolla dhe fitil zjarrpërcjellës, 3 ndezës granatash, kapsolla detonatore, 5 celularë të gatshëm për përdorim në aktivizimin e mjeteve shpërthyese, si dhe 4 armë zjarri – dy automatikë dhe dy pushkë. Po ashtu, u gjetën 8 krehra armësh, pjesë të ndryshme mekanike dhe rreth 6,000 fishekë të kalibrave të ndryshëm. Në banesë u sekuestruan edhe 2.25 kg cannabis.
Pronari i shtëpisë, 48-vjeçari Y. Z., është shpallur në kërkim, teksa dyshohet të ketë lidhje me personat e përfshirë në atentatin e Rinasit. Policia po vijon kërkimet për kapjen e tij, ndërsa grupi hetimor po thellon analizën e provave për të zbuluar rolin e tij të mundshëm në ngjarje.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, e cila pritet të marrë vendimet e radhës për vijimin e procedurave. Ndërkohë, operacioni “Tracking” mbetet aktiv në disa zona të qarkut, me synimin për të goditur rrjetet kriminale që mund të jenë të përfshira në veprimtari të rënda.

