Vedat Muriqi ka dërguar një mesazh të fortë besimi para përballjes vendimtare të Kosovës ndaj Sllovenisë. Sulmuesi kryesor i “Dardanëve” u shfaq i motivuar në konferencën për media të mbajtur një ditë para ndeshjes, duke theksuar se ekipi është i gatshëm të japë maksimumin për të siguruar rezultatin që i duhet për kualifikim.
Muriqi reagoi edhe ndaj deklaratës së trajnerit slloven, i cili kishte thënë se skuadra e tij mund të fitojë edhe pa yllin Benjamin Sesko. “Tabela flet vetë. Deri tani Kosova ka bërë më mirë se Sllovenia dhe nuk e di nga i vjen ai vetëbesim,” tha ai. “Ne jemi ambiciozë dhe kemi katër pikë më shumë. Do të luftojmë deri në momentet e fundit për fitore. Ashtu siç shpreson e gjithë Kosova për një gol nga unë, edhe unë shpresoj të shënoj.”
Sfida Slloveni–Kosovë zhvillohet të shtunën në mbrëmje, në orën 20:45, në “Stožice Stadion”. Kosova mban aktualisht vendin e dytë në grup me shtatë pikë, ndërsa Sllovenia renditet e treta me tri pikë.
Një barazim do t’i mjaftonte Kosovës për ta siguruar matematikisht “play-off”-in e Botërorit, ndërsa fitorja do ta afronte edhe më shumë me objektivin historik të kualifikimit.

