Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka nisur sot stërvitjet në parkun e Gërmisë, ku pjesëtarët e saj realizuan një marshim kondicional.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, publikoi pamje nga aktiviteti, teksa marshonin në shtegun e parkut.
“Ecja ime e zakonshme në Gërmi sot mori një energji krejt tjetër – një pjesë të rrugës e bëra së bashku me kadetët e Akademisë Ushtarake të FSK-së, oficerët e ardhshëm që po realizonin marshin kondicional 13 km ‘Shtegu i Lavdisë’. Disiplina dhe përkushtimi i tyre janë frymëzim i vërtetë”, shkroi Maqedonci.
Komuna e Prishtinës kishte njoftuar dje qytetarët për aktivitetin, duke theksuar se nuk ka arsye për shqetësim.
“Ju njoftojmë se FSK – Forca e Sigurisë së Kosovës, bazuar në planin e saj të stërvitjeve, më 15 nëntor 2025 do të realizojë një stërvitje ushtarake, marshim kondicional në zonën e Gërmisë. Gjatë kësaj periudhe do të ketë lëvizje të këmbësorisë dhe prani të pjesëtarëve të FSK-së në terren. Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të planit të rregullt stërvitor dhe nuk ka arsye për shqetësim”, tha kryeqyteti.

