Thinking Machines Lab, kompania e inteligjencës artificiale e themeluar nga ish-drejtoresha teknologjike e OpenAI, Mira Murati, po tërheq vëmendjen e madhe të investitorëve globalë. Sipas raportimeve të Bloomberg, startup-i është në bisedimet e para për një raund të ri financimi që mund ta ngrejë vlerësimin e tij në afërsisht 50 miliardë dollarë – madje disa burime sugjerojnë se shifra mund të arrijë në 55 deri në 60 miliardë.
Një vlerësim i tillë do të nënkuptonte katërfishim të vlerës së kompanisë brenda vetëm pak muajsh, duke e pozicionuar Thinking Machines mes firmave private më të vlefshme të teknologjisë në botë, pavarësisht se është themeluar vetëm në fillim të këtij viti.
Që nga prezantimi në shkurt, Thinking Machines ka tërhequr emra të rëndësishëm nga industria e AI-së. Murati ka rekrutuar dhjetëra ish-ekspertë të OpenAI-t, përfshirë bashkëthemeluesin John Schulman dhe ish-zëvendëspresidentin e kërkimit, Barret Zoph. Kompania synon zhvillimin e modeleve të avancuara dhe mjeteve që fuqizojnë bashkëpunimin mes njeriut dhe inteligjencës artificiale.
Në korrik, startup-i siguroi një nga raundet më të mëdha të investimit fillestar në historinë e teknologjisë: 2 miliardë dollarë për një vlerësim prej 12 miliardësh. Që atëherë rritja ka qenë e shpejtë.
Produkt i parë i kompanisë, Tinker, është miratuar tashmë nga universitete prestigjioze si Princeton dhe Stanford, dhe po ashtu po përdoret nga klientë të pagueshëm në sektorin privat.
Murati po bëhet pjesë e një vale të re të themeluesve që vijnë nga OpenAI dhe që po tërheqin investime marramendëse, ashtu si Ilya Sutskever me Safe Superintelligence Inc. dhe Liam Fedus me Periodic Labs. Ekosistemi i AI-së vazhdon të zgjerohet me ritme rekord, dhe Thinking Machines po shfaqet si një nga lojtarët më premtues të kësaj gare globale.

