Mediat evropiane kanë rikthyer vëmendjen te një nga historitë më tronditëse të luftës në Bosnje: fenomeni i ashtuquajtur “snajperët e safarit”, një lloj makabër i “turizmit të luftës”, ku të huaj paguanin për të qëlluar mbi civilët e Sarajevës së rrethuar.
Raportimet e para për këtë dukuri u publikuan më 1 prill 1995 nga gazeta boshnjake Oslobodjenje, e cila zbuloi se individë të ardhur nga vende të ndryshme të Evropës udhëtonin drejt pozicioneve serbe për të marrë pjesë në një “gjueti njerëzish” kundrejt pagesës.
Sipas mediave italiane, të cilat i referohen një dëshmie të paraqitur para “Gjykatës së Popullit” në Trento, grupe të vogla turistësh specialë niseshin nga aeroporte evropiane drejt Bosnjës, shpesh përmes Beogradit. Aty organizatorët i dërgonin në pozicione të njohura të snajperëve, si Grbavica apo kodrat mbi Sarajevë, prej nga mund të shihnin qartë rrugët e ekspozuara të qytetit të rrethuar.
Qëllimi ishte i mbuluar me një brutalitet të hapur: të huajve u ofrohej mundësia të qëllonin mbi fëmijë, gra dhe të moshuar që kalonin në zonat e njohura si “Aleja e Snajperëve”.
Gazeta italiane La Stampa solli dëshminë e gazetarit Giuseppe Zaccaria, i cili rrëfente se gjatë një vizite në Pale, një oficer serb e kishte çuar në një barakë ku ishte instaluar një pushkë snajperi. Përmes dylbive, ai shihte qartë kalimtarët pranë hotelit “Holiday Inn”, një nga vendet më të rrezikshme të qytetit në atë kohë.
Oficeri, me një cinizëm të hapur, i kishte ofruar reporterit “mundësinë” të qëllonte mbi një të moshuar që sapo kishte hyrë në shënjestër, duke e ftuar të merrte “kënaqësinë” e goditjes së tij.
Raportimet e shtypit evropian në atë kohë theksonin se snajperistët qëllonin gjithnjë e më shpesh mbi fëmijët. Arsyeja cinike që jepnin vetë agresorët ishte se “vetëm kështu gjenerohej lajm” në mediat perëndimore. Këto dëshmi u dokumentuan edhe gjatë procesit gjyqësor në Trento, ku u paraqitën prova mbi përmasat çnjerëzore të fenomenit.
Ironikisht, rrëfimet u publikuan në të njëjtën ditë kur Papa Gjon Pali II publikoi enciklikën Evangelium vitae, duke mbrojtur shenjtërinë e jetës njerëzore, ndërsa gazetat italiane raportonin për dy forma skajshmërisht çnjerëzore të shfrytëzimit modern: turizmin seksual pedofil dhe turizmin e gjuetisë ndaj civilëve në Sarajevë.
Sipas mediave italiane, disa nga “turistët e luftës” paguanin shuma të mëdha për të marrë pjesë në këtë barbarizëm, ndërsa të tjerë i bashkoheshin thjesht për “argëtim personal”.
Fenomeni, që më vonë u bë i njohur me emrin “Sarajevo Safari”, mbetet një nga shembujt më groteskë të dehumanizimit të luftës së Bosnjës — një kujtesë e dhimbshme për brutalitetin që iu ushtrua civilëve të pafajshëm gjatë katër viteve të rrethimit.


