Trajneri i Kombëtares së Zvicrës, Murat Yakin, ka dalë para mediave një ditë para përballjes së shumëpritur mes Kosovës dhe Zvicrës, duke komentuar pritjet dhe atmosferën që e paraprin këtë duel.
I pyetur për mundësinë e një fitoreje të thellë të Kosovës, madje me rezultat 6:0, Yakin u përgjigj me qetësi, duke theksuar se në futboll gjithçka mund të ndodhë, por se ekipi i tij mbetet i fokusuar te loja dhe objektivat e veta.
“Çdo gjë është e mundur në futboll. Është në dorën tonë të vendosim. Dua që ekipi të jetë i fokusuar dhe të luajmë lojën tonë. Nuk po mendojmë për skenarë të zymtë. Ekipi ka mjaftueshëm cilësi. Nëse luajmë lojën tonë, jam i bindur se do të arrijmë rezultat pozitiv,” u shpreh Yakin.
Tekniku zviceran nuk ngurroi të vlerësojë Kombëtaren e Kosovës, duke e përgëzuar për paraqitjet dhe fushatën mbresëlënëse gjatë kualifikimeve për Botërorin. Ai u shpreh se “Dardanët” kanë bërë progres të madh dhe po tregojnë një identitet të qartë futbollistik.
Ndeshja pritet me interes të madh, ndërsa Yakin konfirmoi se Zvicra është e përgatitur dhe e vendosur të vazhdojë traditën e paraqitjeve solide në arenën ndërkombëtare.

