Protesta e thirrur nga Partia Demokratike ka zgjatur rreth 1 orë e 10 minuta. Ajo u mbajt në sheshin përballë Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku u mblodhën mbështetës të opozitës, deputetë të Partisë Demokratike dhe aleatë të saj.
Protesta nisi në orën 18:25 me fjalën e Kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Ai e cilësoi protestën e sotme si “foltorja parlamentaro-qytetare”. Berisha tha se qëllimi i protestës ishte kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit, “si hap drejt krijimit të një qeverie teknike dhe mbajtjes së zgjedhjeve të lira”.
Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi se kryeministri ka përzënë më shumë shqiptarë sesa çdo pushtues.
“Liria është si një lumë, të cilin në asnjë lloj përpjekje nuk mund ta ndalësh, nuk mund ta përthash. Po guxove ta bllokosh, ajo do çajë një kanal”, tha Berisha.
“Kjo është platforma parlamentaro-qytetare që ne inaugurojmë sot para pallatit të krimit, para pallatit të krimit shtetëror ndaj shtetit shqiptar, zëvendësimit të tij me narkoshtetin”.
“Para pallatit të krimit njerëzor ndaj shqiptarëve, që me qëndrimet e tij përzuri nga Shqipëria në vitet e qeverisjes së tij më shumë se çdo pushtues i egër në tërë historinë kombëtare”, tha Berisha.
Sipas tij, “kjo është platforma e një bashkimi më të madh se kurrë rreth vlerave më të shenjta, rreth votës së lirë dhe rreth familjes”
“Edhe njëherë, nderimin më të madh për ju, burra dhe gra që keni 4 vite të angazhuar në çdo betejë, të angazhuar në beteja ndër më të vështirat, por që i fituat, triumfuat mbi çdo të keqe, mbi çdo forcë, mbi çdo armik të pluralizmit politik në Shqipëri dhe qëndroni sot si dëshmitarë, si misionarë të vendosur për të rikthyer në Shqipëri votën e lirë.
Vlerat, familjen”, u shpreh Berisha.
Në foltore pas Berishës u ngjitën deputetët Belind Këlliçi, Eno Bozdo, Elda Hoti etj.
Protesta u mbyll në orën 19:40, sërish me fjalën e ish-kryeministrit Sali Berisha që la takimin e radhës për të hënën e ardhshme.
Policia e Shtetit kishte marrë masat për mbarëvajtjen e protestës, duke kufizuar qarkullimin e automjeteve që prej orës 14:00 në disa akse rrugore.
Konkretisht, sipas policisë, nga ora 14:00, nuk është lejuar të parkohen automjetet në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Po ashtu, prej orës 15:00 deri në përfundim të tubimit, u bllokuan lëvizjet e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali””.
Policia bëri të ditur se në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore

