Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ish-nënkryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas dështimit të votimit të djeshëm në Kuvendin e Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Gucati ka kritikuar gjuhën e përdorur nga deputetja e VV-së, duke theksuar se brenda radhëve të PDK-së ka deputetë dhe ish-ushtarë të UÇK-së që kanë sakrifikuar fizikisht për lirinë e vendit.
“Albulena, a nuk të vjen turp ta përdorësh këtë gjuhë? Në PDK ka deputetë që kanë lënë gjymtyrët për lirinë e këtij vendi. Ka komandantë të respektuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Gucati.
Ai shtoi se debati politik është i kuptueshëm dhe i pranueshëm në demokraci, por tallja me sakrificat e luftëtarëve të lirisë, sipas tij, përbën kalim të vijave të kuqe.
“Ka bij e bija familjesh të dëshmorëve. Të gjithë këta njerëz meritojnë respekt, jo fyerje të tilla të ulëta politike”, përfundoi Gucati në reagimin e tij.
Reagimi i tij ka nxitur diskutime të reja në skenën politike, duke e intensifikuar debatin mes përfaqësuesve të VV-së dhe atyre të PDK-së për gjuhën dhe qasjen në polemikat publike.

