Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se presidenti Donald Trump po punon mbi një plan të ri për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, një iniciativë që Uashingtoni e cilëson “të favorshme për të dyja palët”. Dokumenti 28-pikësh, i parë nga disa media perëndimore, thuhet se i është dërguar zyrtarëve ukrainas dhe atyre të Pentagonit.
Por në Kiev, plani është pritur me shqetësim. Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se është i gatshëm ta diskutojë me presidentin Trump, ndërsa burime ukrainase e kanë quajtur atë “absurd dhe të papranueshëm”.
Plani përfshin njohjen e sovranitetit të Ukrainës dhe parashikon garanci sigurie nga SHBA, por kërkon që Kievi të heqë dorë përgjithmonë nga anëtarësimi në NATO, duke e sanksionuar këtë në Kushtetutë. Edhe Aleanca nga ana e saj do të duhet të përfshijë në statutin e saj se Ukraina nuk do të pranohet.
Ndër pikat më të diskutueshme është transferimi i Donbasit në Rusi, reduktimi i ushtrisë ukrainase dhe një pakt mossulmimi midis Rusisë, Ukrainës dhe Evropës. Për më tepër, Moska do të duhet të sanksionojë në ligj politikën e saj të mossulmimit ndaj Evropës dhe Ukrainës. Gjatë këtij procesi, Kievit do t’i jepet gjithashtu akses preferencial afatshkurtër në tregun evropian. NATO do të pranojë, por jo të vendosë trupa në Ukrainë.
Avionët luftarakë evropianë do të stacionohen në Poloni për të mbrojtur Kievin.
Termocentrali bërthamor i Zaporizhzhias do të vihet nën mbikëqyrjen e IAEA-s, duke ndarë prodhimin e energjisë mes të dy vendeve. Plani parashikon investime të mëdha për rindërtim, përfshirë përdorimin e 100 miliardë dollarëve nga asetet ruse të ngrira. Rusia do të rikthehet në formatin G8 dhe të gjitha palët do të përfitojnë amnisti, duke përjashtuar ndjekjen penale për krimet e luftës.
Plani parashikon që Ukraina do të duhet të mbajë zgjedhje të reja brenda 100 ditëve nga marrëveshja, një kusht që Zelensky e kishte pranuar për sa kohë që do të kishte një armëpushim të plotë.

