Vlora Hyseni bën histori në NATO: Drejtojë mbledhjet më të larta të inteligjencës në Bruksel

by engel

Shefja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ka shënuar një moment historik për Shqipërinë e cila është caktuar kryesuese për të udhëhequr punimet e Komitetit Civil të Inteligjencës së NATO-s (CIC) gjatë takimeve të nivelit të lartë që u zhvilluan këtë javë në selinë e Aleancës, në Bruksel.

Gjatë vizitës zyrtare, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, zhvilloi një takim me drejtuesit e shërbimeve civile dhe ushtarake të inteligjencës nga të 32 vendet anëtare. Ai vlerësoi rolin e pazëvendësueshëm të inteligjencës në garantimin e sigurisë kolektive, duke theksuar se Aleanca nuk do të mund të përballonte kërcënimet e sotme pa kontributet e shërbimeve të specializuara të vendeve aleate.

banner

Mbledhjet e Komitetit Civil të Inteligjencës (CIC), Komitetit Ushtarak të Inteligjencës (MIC) dhe sesionet e përbashkëta CIC-MIC u fokusuan në zhvillimet globale të sigurisë, duke përfshirë agresionin rus në Ukrainë, marrëdhëniet e Moskës me Kinën, Korenë e Veriut, Bjellorusinë dhe Iranin, si dhe sfidat e ardhshme për inteligjencën e NATO-s në epokën e teknologjive të reja.

Rutte nënvizoi se lufta në Ukrainë ka treguar qartë se stabiliteti nuk është më çështje rajonale, por globale, duke e bërë shkëmbimin e informacionit më kritik se kurrë. Edhe Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Giuseppe Cavo Dragone, përgëzoi cilësinë dhe ndikimin e inteligjencës së Aleancës, të cilat sipas tij ndihmojnë udhëheqësit e vendeve anëtare të marrin vendime të informuara në një mjedis gjithnjë e më kompleks sigurie.

Takimet vjetore të inteligjencës në NATO shërbejnë si platformë strategjike për diskutimin e politikave, planifikimit dhe bashkëpunimit mes vendeve aleate. Përveç sesioneve plenare në Bruksel, komitetet e inteligjencës takohen rregullisht gjatë vitit për të garantuar koordinim të vazhdueshëm dhe efikasitet në veprimet e përbashkëta të Aleancës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy