Rrezik në Osum, Vjosa në vëzhgim| MM: Si paraqitet situata e motit sipas qarqeve

by Nexhat

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka dhënë informacione lidhur me situatën nga moti i keq në vend.

Në disa zona situata është stabilizuar, ndërsa në qarqe si Vlora, Lezha dhe Fieri është dashur evakuimi i disa familjeve për shkak të rrezikut nga përmbytjet.

banner

Qarku Vlorë – Tërhiqen ujërat e Vjosës, 10 familje të evakuuara

Në pjesën jugore të vendit, lumi Vjosa ka pasur prurje të larta, duke detyruar evakuimin e 7 familjeve në Novoselë dhe tre të tjerave pranë urës së Mifolit. Të gjitha familjet janë sistemuar pranë të afërmve. Në Himarë është hapur rruga mes fshatrave Shën Vasil–Nivicë, ndërsa vijon pastrimi i akseve të tjera. Në Sarandë po monitorohet aksi Sarandë–Delvinë, ndërsa po punohet për forcimin e argjinaturës së lumit Bistricë dhe rikthimin e energjisë në tunelin e Llogarasë. Forcat në terren kanë ndërhyrë gjithashtu në Ksamil, Metoq dhe Vrion për largimin e ujërave.

Qarku Fier – Prurjet e Vjosës nën vëzhgim të rreptë

Prurjet e lumit kanë sjellë përmbytjen e 50–60 hektarëve tokë bujqësore në zonat Kashisht–Çervën–Ferras, ku një familje është evakuuar. Ka prezencë uji në 30 oborre banesash, ndërsa si masë paraprake janë stakuar pompat e ujësjellësit në Kafaraj. Në lumin Seman, prurjet janë rritur, por pa rrezik për banesat.

Qarku Korçë – Fryrja e lumenjve Devoll dhe Dunavec

Në disa zona si Dërsnik, Bulgarec dhe lagjja nr. 6 po kryhet devijimi provizor i ujërave, ndërsa në Sheqeras ekipet janë në terren për ndërhyrje. Kontraktorët po pastrojnë gurët e rënë në akset Qafë Plloçë–Qukës dhe Pogradec–Qafë Thanë.

Qarku Lezhë – Rrezik në argjinaturën e Vainit, evakuime me varka

Në njësitë Shënkoll dhe Zejmen niveli i ujit vijon të rritet për shkak të çarjes së argjinaturës së lagunës së Vainit. Në disa raste është realizuar evakuim me varka, ndërsa punimet për riparimin e argjinaturës vijojnë. Ndërhyrjet vazhdojnë edhe në aksin Skuraj–Gallatë–Vinjollë. Në Mirditë situata është stabilizuar, ndërsa lumi Drin paraqet rënie niveli.

Qarku Durrës – Situata drejt normalizimit

Lumenjtë Erzen, Ishëm dhe Zezë nuk paraqesin rritje niveli. Po pastrohen kanalet e Tonës dhe Tarinit, ndërsa lumi Erzen është tërhequr. Në Krujë ka përfunduar forcimi i argjinaturës së lumit të Drojes. Në tokat bujqësore është vërejtur tërheqje ujërash.

Qarku Dibër – Ndërhyrje në disa zona malore

Në Bulqizë situata është stabilizuar, ndërsa puna vijon në rrugët e qytetit të vjetër. Ndërhyrje janë kryer në Luzni, Zall Dardhë e Muhur. Me mbështetjen e Forcave të Armatosura është normalizuar situata në Bruç. Në Klos vijon pastrimi pas rrëshqitjeve të dherave.

Qarku Shkodër – Reshje intensive, ndërhyrje në terren

Në Fushë-Arrëz po pastrohen rrugët nga prurjet, ndërsa në Malësinë e Madhe ka rritje të prurjeve në përroin e Thatë.

Qarku Berat – Rrezik në Osum, monitorim i vazhdueshëm

Niveli i lumit Osum është rritur, duke sjellë rrezik në lagjen Goricë. Ndërhyrjet po kryhen nga UKT në lagjen 28 Nëntori. Në Poliçan ujërat janë tërhequr, ndërsa në Dimal ka ende prani uji në disa zona bujqësore.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy