Javën e ardhshme Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pritet të prezantojë një draft të mocionit për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Kështu ka konfirmuar shefi i Grupit Parlamentar të këtij subjekti politik, Besnik Tahiri.
“Është e vërtetë se Aleanca është duke punuar për një draft se si do të mund të jetë mocioni për rrëzimin e kësaj Qeverie”, ka thënë ai.
Edhe nga Partia Demokratike e Kosovës janë shprehur pro rrëzimit të Qeverisë Kurti.
Po si pritet të veprojë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), a do të votojë pro mocionit për rrëzimin e qeverisë?
Deputeti i kësaj partie, Agim Veliu, tha se vota e tij do të jetë pro rrëzimit të qeverisë Kurti.
Veliu tha se prej fillimit ka patur këtë bindje se qeveria duhet të rrëzohet.
“Unë prej fillimit jam për rrëzimin e qeverisë, pa e marr parasysh kush e sjell mocionin” tha shkurt Veliu.
Agim Veliu, Deputet i LDK-së
Ndërsa deputetja tjetër nga ky subjekt politik, Valentina Bunjaku-Rexhepi, tha se vendimi i saj shkon varësisht se si vendos LDK-ja.
Bunjaku-Rexhepi u shkrep skeptike që AAK-ja mund t’i bëjë votat e mjaftueshme për këtë mocion.
“Varet se si vendos Lidhja Demokratike e Kosovës. Partia më e vogël opozitare po inicion mocion kur e din që si ka votat” tha Bunjaku Rexhepi.
Valentina Bunjaku-Rexhepi, LDK
Pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit dhe tensionit të situatës në atë pjesë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar vazhdimisht të merren hapa konkret për rrëzimin e qeverisë Kurti dhe që vendi të shkojë në zgjedhje.
Zgjedhje të parakohshme ka kërkuar tashmë edhe Partia Demokratike e Kosovës.
Këshilli Drejtues i këtij subjekti politike miratoi pak ditë më parë deklaratën prej 10 pikash, përmes të cilave PDK kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme si dhe mori vendim që të pezullojë çdo komunikim zyrtar me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani.
Veprimet e AAK-së dhe PDK-së erdhën pasi nuk pati një depërshkallëzim të situatës në veri, BE-ja mori masa ndaj Kosovës dhe Kurti nuk lëvizi nga qëndrimet e tij pavarësisht thirrjes së ndërkombëtarëve.
Përveç me ndërkombëtarët dhe opozitën, marrëdhëniet e kryeministrit Kurti janë të tensionura edhe me Tiranën zyrtare.
Ai nuk priti në vizitë zyrtare Edi Ramën, vizitë kjo që u zhvillua në kuadër të ‘Samitit të Berlinit’
Kurti tha re refuzoi takimin për shkak se kryemininistri i Shqipërisë, Edi Rama, ka anuluar pa shkak mbledhjen e dy qeverive.