Lladrovci: Në PDK po quhet humbja fitore – Uniteti është kusht për ta kthyer Kosovën në drejtimin e duhur

by engel

Kryetari i Drenasit dhe një nga figurat më të njohura të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramiz Lladrovci, ka reaguar sërish lidhur me gjendjen e brendshme në PDK, duke theksuar se mungesa e unitetit dhe relativizimi i humbjeve po e dëmtojnë rëndë partinë.

Në një deklarim të publikuar sot, Lladrovci shprehet se pavarësisht qëndrimeve të tij të qarta, “si rrezja e diellit”, mjegulla politike rreth degës së Drenasit nuk po largohet. Ai kritikon eksponentë të caktuar brenda partisë që, sipas tij, po e paraqesin disfatën si fitore dhe po tentojnë ta normalizojnë situatën problematike.

banner

“Mësimi nga Drenasi, siç shihet, nuk pati efekt,” shkruan Lladrovci, duke iu referuar performancës së fundit zgjedhore. Ai thotë se deklarimet e disa figurave të partisë, përfshirë edhe ato të kryetarit Bedri Hamza, po tentojnë të barazojnë shkakun me pasojën – një qasje që, sipas tij, nuk i shërben as fuqizimit të degës, as të partisë.

Lladrovci nënvizon se uniteti nuk lidhet me fatin e individëve apo të një dege të vetme, por është kusht i domosdoshëm për të ndryshuar gjendjen e Kosovës. “Uniteti është zotim për qëllime më të larta se fati i një dege apo individi. Ai është kusht i fitores,” thekson ai.

Sipas kryetarit të Drenasit, PDK ka nevojë urgjente për ridefinim të qasjes politike dhe organizative, duke përdorur “gjuhën e fitimtarëve me vizion, pa kushte dhe pa hile”. Ai paralajmëron se trashëgimia e partisë, e ngritur nga heronjtë e luftës dhe të paqes, rrezikon të mjegullohet nëse nuk pastrohet hapësira nga “shkurtpamësia politike”.

Në fund, Lladrovci tërheq vërejtjen se nëse nuk merren masa të qarta, “keqbërësit dhe bedelët politikë” do të mbeten shenjë identifikuese e PDK-së – një parti e cila historikisht ka qenë bartëse e shtetformimit dhe shtetndërtimit në Kosovë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy