Radio Televizioni i Kosovës do të përballet me grevë të përgjithshme nga dita e hënë, pasi Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka njoftuar pezullimin e të gjitha aktiviteteve të punës nga ora 11:00 deri në 13:00, në të gjitha sektorët e institucionit publik.
Sipas sindikatës, ky vendim vjen pas një periudhe të gjatë tensioni mes punëtorëve dhe menaxhmentit, ku kërkesat e vazhdueshme për paga dhe kushte më të mira pune janë injoruar, duke rrezikuar seriozisht funksionimin normal të transmetuesit publik. Punëtorët theksojnë se bllokimi i pagave ka krijuar një situatë të papranueshme, që i ka shtyrë drejt ndërmarrjes së veprimeve drastike.
Në njoftim, sindikata kërkon gjithashtu që menaxhmenti i RTK-së të marrë një vendim të prerë lidhur me mosmbulimin e fushatës zgjedhore, duke paralajmëruar se mungesa e një qëndrimi të qartë mund të çojë në bojkot të plotë të proceseve të punës.
Institucioni mediatik publik tashmë po përballet me një sërë sfidash të brendshme, përfshirë mungesën e bordit funksional, si dhe kritika në rritje për mënyrën e menaxhimit. Në veçanti, redaksia e lajmeve është përfshirë në akuza për censurim dhe ndërhyrje editoriale, të ngritura jo vetëm nga gazetarët e brendshëm, por edhe nga vëzhgues të jashtëm të medias.
Disa gazetarë kanë deklaruar se janë përjashtuar ose marginalizuar nga detyrat e tyre, për shkak të pakënaqësive që kanë shkaktuar tek politikanët dhe zyrtarët e partisë në pushtet, të cilët, sipas tyre, kanë ushtruar presion mbi drejtuesit e RTK-së.

