Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet D.N., i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, lidhur me ngjarjet e ndodhura gjatë luftës së vitit 1999.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri, në periudhën mars–prill 1999, në cilësinë e komandantit të nënstacionit policor në Zhegër të Komunës së Gjilanit, dyshohet se ka dështuar të ndërmarrë veprime për të parandaluar plaçkitjet, dëbimet dhe vrasjet e 29 civilëve shqiptarë.
Në aktakuzë thuhet se D.N. ka qenë në dijeni për operacionet e forcave policore dhe ushtarake serbe, të cilat më 30 mars 1999 kishin rrethuar fshatin Zhegër, ndërsa vetëm pak ditë më herët, më 27 mars, ishte sulmuar edhe fshati Llashticë.
Hetimet pretendojnë se i pandehuri, së bashku me komandantin e Stacionit të Policisë në Gjilan, ka urdhëruar tjetërsimin e vendit të ngjarjes për të zhdukur provat që lidhen me krimet e dyshuara.
Po ashtu, sipas aktakuzës, D.N. ishte informuar me shkrim nga të dëmtuarit për zhvillimet në terren, por nuk kishte ndërmarrë asnjë masë për t’i parandaluar krimet, për t’i ndaluar ato apo për t’i raportuar për hetim, ndërkohë që më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

