Një robot humanoid i zhvilluar nga një kompani kineze ka thyer rekordin botëror të ecjes për makinat humanoide, pasi përshkoi 106,2 kilometra pa ndërprerje.
Sipas mediave kombëtare, roboti i modelit “AgiBot A2”, i prodhuar nga kompania e robotikës AgiBot me seli në Shangai, e përfundoi udhëtimin më 13 nëntor. Ai kishte nisur ecjen më 10 nëntor nga qyteti Suzhou, në provincën Jiangsu. Kjo distancë prej 106,2 kilometrash u certifikua nga Libri i Rekordeve Guinness si “distanca më e gjatë e ecur nga një makinë humanoide”.
Në një njoftim zyrtar, Guinness bëri të ditur se roboti përshkoi sipërfaqe të ndryshme gjatë marshimit dhe respektoi rregullat e trafikut përgjatë gjithë rrugëtimit. Kina e konsideron zhvillimin e robotëve humanoidë, së bashku me inteligjencën artificiale, si një ndër teknologjitë kyçe që do të formësojnë të ardhmen e industrisë së saj.
Në maj të këtij viti, në Pekin u mbajt një gjysmëmaratonë ku robotët dhe njerëzit garuan së bashku për herë të parë në botë. Ndërkohë, në gusht, kryeqyteti kinez ishte nikoqir i Lojërave Botërore të Robotëve Humanoidë, gara e parë në shkallë të gjerë ku robotët humanoidë u përballën në disiplina të ndryshme sportive.

