Papa Leo XIV ka filluar udhëtimin e tij të parë jashtë Vatikanit, një pelegrinazh dyditor në Turqi dhe Liban, i cili po shihet si një moment historik, jo vetëm për shkak të zhvillimeve të ndjeshme gjeopolitike në Lindjen e Mesme, por edhe për faktin se ai është papa i parë amerikan në histori.
Vizita e tij në Turqi vjen në kuadër të shënimit të një përvjetori të rëndësishëm me Kishën Ortodokse, një udhëtim që ishte planifikuar më herët nga Papa Françesku. Ndërsa në Liban, Papa Leo synon të japë mbështetje për komunitetin e krishterë, i cili prej vitesh përballet me sfida të mëdha, si dhe për gjithë popullin libanez që ende kërkon drejtësi pas shpërthimit tragjik të vitit 2020 në portin e Bejrutit.
Me një përvojë të gjatë prej 12 vitesh si drejtues i rendit augustinian dhe mbi dy dekada si misionar në Peru, Papa Leo XIV njihet për qasjen e tij të drejtpërdrejtë dhe komunikimin e hapur. Gjatë javëve të fundit ai ka treguar aftësi të larta diplomatike, duke iu përgjigjur me lehtësi pyetjeve të gazetarëve dhe duke fituar vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar.
Udhëtimi i tij po ndiqet nga afër nga mediat botërore, veçanërisht ato amerikane. Rrjetet kryesore si ABC, CBS, NBC, Fox News, CNN dhe BBC po e shoqërojnë papën në këtë vizitë, duke raportuar për çdo takim, fjalim dhe meshë të tij, në një kohë kur po zhvillohen negociata të rëndësishme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të ruajtur armëpushimin në Gaza.
“Çdo udhëtim i Papës është një ngjarje madhore,” tha Natalia Imperatori-Lee, profesoreshë e teologjisë në Universitetin Fordham në Nju Jork. “Por fakti që bëhet fjalë për një papë amerikan, në vizitën e tij të parë ndërkombëtare, e bën këtë moment edhe më historik.”
Sipas Kim Daniels, drejtoreshë e Nismës për Mendimin Social Katolik dhe Jetën Publike në Universitetin Georgetown, prania e Papës Leo XIV në rajon është tejet e rëndësishme: “Ai ka qenë në qendër të vëmendjes për angazhimin e tij ndaj çështjes së migrimit. Ky udhëtim, në thelb, rikthen fokusin te periferitë dhe te më të pambrojturit.”

