Në seancen e sotme parlamentare, Parlamenti Evropian ka miratuar vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ky vendim do të nënshkruhet zyrtarisht ditën e nesërme në Strasbourg nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, ku do të jetë prezent dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.
Kryetarja e PE-së, Roberta Metsola tha se nuk ka pranuar asnjë propozim apo amendament që refuzon qëndrimin e Këshillit, duke shtuar se akti i propozuar është miratuar. Ndërkaq, Thijs Reuten, anëtar i parlamentit, ka thënë se ky moment historik është gjithashtu një themel i rëndësishëm për të ardhmen dhe bashkëpunimin gjithnjë e më të ngushtë ndërmjet BE-së dhe Kosovës. Pas vitesh në dhomën e pritjes, Kosova tani është e fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor që i bashkohet regjimit tonë pa viza. Kjo më në fund u mundëson qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lehtësisht, të vizitojnë të afërmit dhe të bëjnë biznes në BE.
Për miratimin e vendimit për liberalizimin e vizave është deklaruar edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon. Ky është postimi i saj në rrjetet sociale:
“Të dashur qytetarë, njerëz të dashur të Kosovës, urime! Më në fund kemi votën për liberalizim të vizave për Kosovën.Ju është dashur të prisni shumë gjatë dhe kjo ishte e padrejtë dhe e paarsyeshme. Ju keni përmbushur të gjitha kriteret, por gjithsesi, më në fund ia dolët. Tani ju mund të shkoni në Gjermani, në Austri, tani mund t’i vizitoni të afërmit dhe miqtë tuaj atje. Jam shumë e lumtur për ju, e ky vendim do t’ju bëjë juve edhe më të lumtur. Urime, ka përfunduar edhe kjo punë!”.
Historiku i heqjes së vizave
Komisioni Evropian nisi dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën më 19 janar 2012.
Në qershor 2012, Komisioni i paraqiti Kosovës një Udhërrëfyes për Liberalizimin e Vizave, i cili identifikoi legjislacionin dhe masat institucionale që Kosova duhej të miratonte dhe të zbatonte për të avancuar drejt liberalizimit të vizave.
Udhërrëfyesi përcaktonte një listë gjithëpërfshirëse të reformave, duke përfshirë ri-integrimin dhe ripranimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe të migracionit, azilin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes.
Komisioni ka miratuar 4 raporte për progresin e arritur nga Kosova në dialogun për vizat, si dhe ka paraqitur propozimin e tij për heqjen e kërkesave për viza për qytetarët e Kosovës më 4 maj 2016.
Propozimi u bazua në arsyetimin se deri në kohën kur propozimi të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, Kosova do ta kishte ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe do të forconte arritjet e saja në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pra dy standardet përfundimtare.
Kosova arriti që pas shumë seancash me gazë lotsjellës e kundërshtime të ratifikoi marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi. Mirëpo megjithatë, qytetarët e Kosovës, vazhduan te jenë të vetmit në rajon, që nuk kishin mundësinë të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen.