Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka sulmuar hapur Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar për hipokrizi dhe veprime të qëllimshme kundër interesit të qytetarëve të kryeqytetit. Në një reagim të drejtpërdrejtë, Rama i ka cilësuar veprimet e VV-së si mashtruese dhe të dyfytyrshme.
“Kjo është Vetëvendosja! Natën punon kundër qytetarëve të vet, ditën del e thotë se po shqetësohet për shëndetin e tyre!”, ka shkruar ai, duke theksuar se praktikat e tilla janë bërë normë për partinë në pushtet.
Rama ka kërkuar nga qytetarët që të mos harrojnë sjelljet e VV-së, duke paralajmëruar se, sipas tij, të gjitha hipokrizitë e sotme do të shpalosen më vonë: “Mbani n’mend krejt mashtrimet e hipokrizia qishtu kanë me ju dal! E vërteta vonon po nuk harron!”
Kjo deklaratë e ashpër pason një seri përplasje të ditëve të fundit mes komunës dhe institucioneve qendrore, duke thelluar edhe më tej hendekun politik që po reflektohet drejtpërdrejt në administrimin e kryeqytetit. Rama ka zgjedhur kësaj radhe gjuhë të hapur, të prerë dhe pa dorëza, një sinjal se tensionet mes Prishtinës dhe VV-së jo vetëm nuk po zbuten, por po rriten.

