Milazim Krasniqi: Vendi po lihet qëllimisht në ngërç, rrezikohet stabiliteti i Kosovës

by informim peje

Profesori dhe analisti Milazim Krasniqi ka komentuar situatën institucionale dhe ekonomike në vend, duke e cilësuar periudhën e fundit si një nga më të dëmshmet për Kosovën që nga paslufta.

Në një intervistë për Ekonomia Online ai tha se mungesa e institucioneve ka shkaktuar pasoja të thella.

banner

“Padyshim, mungesa e institucioneve është shkatërrimtare për zhvillimin e vendit, sepse merreni me mend, për një vit nuk është miratuar asnjë ligj, nuk është bërë asnjë përmirësim i rregullativave ligjore apo i udhëzimeve administrative të cilat e përcjellin procesin ekonomik dhe shoqëror. Mungesa e Kuvendit dhe e Qeverisë e ka dëmtuar rëndë ekonominë, gjithë gjendjen, por edhe imazhin ndërkombëtar të vendit tonë, sepse kjo jep përshtypjen se jemi një shoqëri e paaftë për të formuar institucione. Të gjitha këto janë pasoja serioze dhe të rënda, që ndikojnë edhe në disponimin e qytetarëve, sepse ua zvogëlojnë shpresën dhe ua dobësojnë vetëbesimin në shoqëri dhe në shtet. Dhe të gjitha këto po çojnë te rezultati që kjo ka ndodhur në më pak se 10 muaj, dhe përgjegjësia për këtë bie mbi njerëzit që kanë mundësi t’i formojnë institucionet, por nuk kanë dashur për shkak të kalkulimeve, inateve, primitivizmit ose motiveve të fshehta që janë më të vështira për t’u detektuar”, tha Krasniqi.

Si pasojë e kësaj situate, ai paralajmëron se vendi është bërë i pasigurt për investitorët e huaj. Po ashtu, ai përmend frikën se një pasojë tjetër do të jetë largimi i të rinjve nga Kosova.

“Pa asnjë dyshim, investime nuk bëhen në një vend që nuk ka stabilitet, siguri, institucione dhe qeveri kredibile që shfaqet si partnere e investitorëve, sepse proceset janë komplekse dhe kërkojnë shumë vendime. Mungesa e investimeve është indikator i qartë e alarmant që Kosova është në krizë jo vetëm ekonomike, por edhe institucionale. Unë besoj se kjo do të ketë shumë pasoja. Njëra nga to shihet në prirjen alarmante të të rinjve që po ikin nga Kosova. Po ashtu, është vërejtur edhe largimi i bizneseve ekzistuese, gjë që lidhet me kriteret e qeverisë dhe përzierjen në tregun e energjisë. Të gjitha këto politika të mbrapshta kanë nxitur largimin e bizneseve dhe mungesën e investimeve të huaja”, theksoi Krasniqi.

Sa i përket idesë së miratimit të buxhetit nga Kuvendi pa u zgjedhur Qeveria, Krasniqi e cilëson këtë veprim joligjor dhe mbi të gjitha e sheh si propagandë politike.

“Padyshim, është një thirrje revolucionare, aspak legjitime dhe aspak legale, sepse ai Kuvend nuk ka pasur të drejtë ta miratojë buxhetin për vetë faktin që nuk ka pasur sukses ta zgjedhë qeverinë. Në momentin që nuk e ka zgjedhur qeverinë, ai parlament është de facto inekzistent, aq më tepër që nuk ka pasur as komisione parlamentare. Të gjithë ata që shesin mjegull me këtë çështje duhet ta pyesin veten pse 50 seanca ose më shumë ia kanë kushtuar vetëm një kandidati, kur në të gjitha ato seanca kanë mundur të testojnë të gjithë kandidatët dhe njëri prej tyre do të zgjidhej, pastaj Kuvendi do të konstituohej dhe do të formohej Qeveria. Pra, përgjegjësia absolute është e Albin Kurtit dhe e qeverisë së tij që e kanë sjellë vendin në këtë krizë. Dhe normalisht, tani jo vetëm po miratohet buxheti në mënyrë joligjore, por ai po abuzon me buxhetin duke dhënë shtesa gjithandej, me synim të blejë vota ose simpati të qytetarëve. Të gjitha këto janë pjesë e propagandës, por Kuvendi nuk ka arritur ta miratojë buxhetin në mënyrë të ligjshme”.

Krasniqi ka thënë se zgjidhja për të dalë nga ngërçi ka ekzistuar, por ka munguar vullneti politik.

“Mendoj se zgjedhjet është dashur të shpallen së paku 6 muaj më herët, pra në prill ose maj, kur është parë këmbëngulësia me Albulena Haxhiun. Ose është dashur të bëhet presion që të shkohet në zgjedhje. Një opsion tjetër ka qenë që partitë ish-opozitare ta formonin qeverinë, sepse i kanë pasur numrat, por nuk u bënë bashkë — dhe kjo ishte një dobësi e tyre. Por që vendi të lihet 10 muaj pa institucione, pa Kuvend, pa Qeveri, pa komisione parlamentare, është diçka që, nëse është bërë me qëllim, është tradhti; nëse është bërë nga padituria, është budallallëk. Një qeveri që ka 50% të shumicës nuk e lë vendin 10 muaj pa qeveri. Është një rast sui generis. Mbetet të shohim nëse ka qenë problem i budallallëkut, i fanatizmit apo diçka edhe më e keqe, sepse ka zëra që po tentohet që Kosova të bëhet shtet i dështuar, në mënyrë që të paketohet dhe të krijohet autonomia e serbëve të Kosovës, të cilën e ka pranuar Kurti përmes planit franko-gjerman”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy