Nesër, më 30 nëntor, përfundon afati ligjor që subjektet politike në Kosovë të paraqesin koalicionet e tyre parazgjedhore dhe të aplikojnë për certifikim për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të zhvillohen më 28 dhjetor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se ora 23:59 e datës 30 nëntor është momenti i fundit kur partitë politike, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur mund të dorëzojnë online formularin e aplikimit. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, theksoi se subjektet që planifikojnë të garojnë brenda një koalicioni duhet ta njoftojnë këtë institucion brenda të njëjtit afat.
Sipas rregullave të KQZ-së, një koalicion duhet të përbëhet nga të paktën dy parti politike, ndërsa pas certifikimit, asnjëra prej tyre nuk ka të drejtë të tërhiqet deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve zgjedhore.
Krahas afatit për koalicionet, subjektet politike kanë deri më 7 dhjetor për të dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë – një hap kyç që përcakton përfundimisht pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e fundvitit.

