S’lejohet që Zyrapi të shtohet në listën e dëshmitarëve të mbrojtjes, i pranohen pesë dëshmitë me shkrim

by Nexhat

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë marrë vendim që dëshmitarin Bislim Zyrapi të mos lejohet që mbrojtja e Hashim Thaçit ta shtojë në listën e dëshmitarëve të saj, por u lejua pranimi i pesë deklaratave të tij të mëhershme me qëllim të krahasimit të dëshmive për shkaqe të qëndrueshmërisë dhe besueshmërisë së dëshmisë së tij.

Ndryshe, mbrojtja e Thaçit kishte kërkuar autorizim për ta shtuar Zyrapin në listën e saj të dëshmitarëve dhe të pranojë pesë deklarata të tij të mëhershme sipas Rregullës 153, raporton “Betimi për Drejtësi“.

banner

Mbrojtja kishte argumentuar se ekziston arsye e rëndësishme për aprovimin e kërkesës së tyre, me arsyetimin se Zyrapi është një dëshmitar shumë i rëndësishëm për të gjitha palët në këtë çështje.

Përveç kësaj, mbrojtja kishte thënë se me aprovimin e kërkesës së tyre, nuk shkaktohet asnjë paragjykimi për palët- pasi dëshmitari dhe dëshmitë e tij janë të njohura mirë për palët dhe pjesëmarrësit, përveç kësaj, deklaratat e tilla i janë paraqitur dëshmitarit gjatë dëshmisë së tij në korrik 2024 dhe nuk do të shkaktonte asnjë vonesë në procedurë.

Mbrojtja ka thënë se këto deklarata duhet të pranohen pasi ato përmbajnë prova lehtësuese të cilat nuk mund të injorohen.

Veç kësaj, mbrojtja ka thënë se Zyrapi është i disponueshëm edhe për marrje në pyetje, gjë që përmbush një prej kërkesave kyçe sipas Rregullës 153.

Prokuroria kishte thënë se deklaratat nuk janë të besueshme në vetvete dhe nuk plotësojnë kriteret e domosdoshme sipas Rregullës 153, si dhe kjo rregull nuk mund të përdoret për të anashkaluar Rregullën 155.

Veç kësaj, Prokuroria pretendon se mbrojtja e kishte mundësinë që ta merrte në pyetje dëshmitarin në lidhje me çështjet përkatëse gjatë kohës kur ai dëshmoi në sallën e gjyqit në vitin 2024.

Në replikën e saj, mbrojta ka thënë se ZPS-ja po kërkon që të imponojë një lexim tepër formal të rregullave, duke shtuar se vetë praktika e deritanishme e DhSK-së tregon se Rregulla 153 është aplikuar në raste kur materiali nuk kualifikohet si deklaratë në kuptimin teknik të Rregullës 155.

“Sipas mbrojtjes: (i) Pesë Deklaratat nuk bien nën Rregullën 155 sepse nuk janë deklarata të marra nga ZPS, por materiale dokumentare të krijuara në rrethana të tjera; (ii) prandaj, Rregulla 153 është rruga e duhur; dhe (iii) ZPS nuk i ka sfiduar dot elementet kyçe të pranueshmërisë. Mbrojtja shton se ZPS është vetë autor i një pjese të koklavitjes procedurale që e ka sjellë këtë çështje deri në këtë pikë”, thotë mbrojtja sipas vendimit.

Megjithatë, Prokuroria s’e ka kundërshtuar pranimin e pesë deklaratave sipas Rregullës 138, por vetëm për qëllime të krahasimit dhe jo për të vërtetuar të vërtetën e përmbajtjes së tyre.

Mbrojtja ka theksuar se ndryshe nga ajo se çfarë sugjeron Prokuroria, çdo paraqitje sipas Rregullës 153 kërkon që dëshmitari të jetë në listën e dëshmitarëve të palës që e paraqet.

Kurse, trupi gjykues ka thënë se mbrojtja nuk ka shpjeguar se pse ka pritur deri në fund të paraqitjes së saj të provave për të kërkuar pranimin e këtij materiali me ndryshimet përkatëse në listën e dëshmitarëve të saj.

Trupi gjykues tutje ka thënë se pranimi i këtyre deklaratave i nënshtrohet kritereve specifike të parashikuara me Rregullat 153 dhe 155.

Veç kësaj, u tha se pesë deklaratat përmbajnë informacion që shkojnë drejtpërdrejt në provimin e akteve dhe sjelljen e të akuzuarve siç përshkruhet në aktakuzë, por pranimi i saj sipas Rregullës 153 do të anashkalonte skemën procedurale dhe do t’iu mohonte palëve të tjera mundësinë për të pyetur dëshmitarin për këto çështje.

Trupi gjykues ka vlerësuar se nuk është e nevojshme që të shtohet Zyrapi në listën e dëshmitarëve të mbrojtjes, por kjo e fundit së bashku me Prokurorinë ka thënë që pesë deklaratat mund të pranohen sipas Rregullës 138, me qëllim të kufizuar për vlerësimin e qëndrueshmërisë dhe besueshmërisë së dëshmisë së Zyrapit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy